Interi kontaktoi 132 futbollistë, bleu vetëm 4
Pëlqej
Interi i ri ka bërë një merkato cilësore këtë verë dhe është gati që të luftojë për të arritur objektivat e vendosur për sezonin 2014-2015. Trajneri Walter Mazzarri ua kishte bërë të qarta kërkesat e tij drejtuesve të klubit, të cilët i kanë sjellë në ekip futbollistë cilësorë si Nemanja Vidiç, Daniel Osvaldo, Ian M’Vila dhe Gary Medel.

Megjithatë, përfaqësuesit zikaltër kanë pasur një punë shumë të bollshme këtë verë, në përpjekje për të bërë goditjet e duhura. Nuk janë pak, por 132 emra me të cilët ata kanë kontaktuar dhe i kanë vëzhguar me kujdes për t’i bërë pjesë të skuadrës milaneze.

Dëshirat - Tekniku Mazzarri kërkonte me ngulm një sulmues të fortë, të aftë të drejtonte Interin në takimet më të vështira. Dëshirat e tij më të mëdha ishin sulmues si Edin Dzeko apo Fernando Torres. Megjithatë edhe Alvaro Morata nuk ngelej pas, teksa shikohej si investim për të ardhmen. Boshnjaku qëndroi te Manchester City, kurse Torres kaloi te rivalët e qytetit, Milani. Edhe Morata do të luajë në Serie A, por me Juventusin.

Objektiva të tjerë të skuadrës zikaltër kanë qenë edhe emra si: Iker Casillas, Alvaro Negredo, Demba Ba, Destro, Luis Gustavo, Fernando, Biabany, Cerci etj. Megjithatë, Mazzarri u mjaftua me kaq.

Në fund të kësaj merkatoje verore, tekniku duket i kënaqur, edhe pse do t’i duhet dhe pak kohë që të kolaudojë Interin e tij. Tifozët, ashtu si dhe presidenti Erick Thohir, presin shumë, sepse për zikaltrit është koha të ngjiten sërish në elitë, nisur edhe nga përforcimet e këtij sezoni, të cilat nuk janë aspak të këqija. /albeu.com/

Shtuar më 03/09/2014, ora 17:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori