"Interi zgjedhja e duhur, Lukaku sulmuesi më i mirë në botë"
Sulmuesi i Interit, Romelu Lukaku, po kalon një formë të shkëlqyer në muajt e fundit. Ishte pikërisht belgu ai që shpëtoi zikaltrit nga humbja në Champions League kundër Borussia Gladbah, pasi arriti të shënojë golin e barazimit në minutat e fundit të takimit.

Periudhën e tij të mirë e ka vënë në dukje dhe agjenti i tij, Federico Pastorello, i cili e cilëson Lukakun si sulmuesin më të mirë në botë për momentin. Ai shpjegon gjithashtu edhe pse klienti i tij shpërtheu tek Interi dhe tregon sekretin e formës së bomberit.

“Transferimi i tij në Itali ishte vendimi i duhur. Interi është një familje e madhe dhe tifozët çmenden për të. Romelu është një lojtar modern dhe një person i ndjeshëm. Ai kërkon të ndjejë dashuri dhe besim nga klubi dhe sigurisht që Inter kërkon ta mbajë atë në skuadër.

Për sa i përket termave të kualiteteve, sjelljes dhe mentalitetit mund të them se ai momentalisht është sulmuesi më i mirë në botë”, përfundon Pastorello në një prononcim për “Sky Sports UK”. Kujtojmë se 27-vjeçari ka arritur të shënojë 11 gola në 9 ndeshjet e tij të fundit në kompeticionet europiane, çka tregon formën e mirë që po kalon.
Shtuar më 23/10/2020, ora 12:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori