Intervistë me boksierin Luan Krasniqi
Albeu.com
I nderuar, duke pas parasysh interesimin e madh të opinionit tonë për figurën e personalitetin tuaj, na lejoni që kësaj radhe të zhvillojmë me ju një bisedë më të gjerë, ta themi shumëdimensionale...por më shumë për Luanin e më pak për boksin e tij!Intervistoi: Flora Suldashi, Hamburg

I nderuar, duke pas parasysh interesimin e madh të opinionit tonë për figurën e personalitetin tuaj, na lejoni që kësaj radhe të zhvillojmë me ju një bisedë më të gjerë, ta themi shumëdimensionale...por më shumë për Luanin e më pak për boksin e tij!

Krasniqi: Ju faleminderit...(Qesh, plot disponim...)


Kemi dëshirë të dimë çfarë mbresash u kanë mbetur në kujtesë nga fëmijëria juaj në Kosovë..., çfarë e ka vrarë shpirtërisht Luanin në fëmijëri ?...ndonjë kujtim, atje në Junik tek kulla e Gjyshit....?

Krasniqi: Fillimisht jam mirënjohës për interesin e treguar për anët tjera të medaljes (qeshet...), por edhe për faktin se me këtë pyetje më kthyet shumë vite prapa, në fëmijërinë time në Kosovë, të cilën e kam parasysh gjithmonë dhe të cilës më ngjanë shpesh, që t’i kthehem e ta kujtojë, si një kujtim të bukur. Në të vërtetë, kam pasur jetë të begatshme në familje dhe me shokët e fshatit...! Por kam pasur, ndërkaq, edhe një fëmijëri të cilën e ka varfëruar shpirtërisht dhe e ka zbehur shumë, vërtetë shumë, qenësisht - mungesa e Bacës! Kështu e thërras babain tim, Bacë ...! Pra për mua, dhe në mua, ka mbetur e balsamosur se babain tim kurbeti e rrëmbeu herët...! Ishte shumë i munguar në fëmijërinë time…!

Cilat ishin ngritjet dhe rëniet, të cilat e kalitën LUANIN, mendoj në ato të cilat lanë gjurmë në personalitetin tuaj?

Krasniqi: Jeta qenka interesante, veçanërisht, me të gjitha ato ngritjet dhe rëniet. Por nga të dyja, edhe nga ngritjet edhe rëniet, sikur vetvetiu rridhte apo shembej (si edhe vetë jeta), një shkollë e veçantë, me shumë bagazhe, e rëndësi jetësore. Nga secila kam nxjerr ndonjë mësim. Kam qenë, apo të paktën jam përpjekur gjithherë, që të jem nxënës i zellshëm në këtë shkollën e quajtur - Jetë...! Por t’i lëmë detajet, si sukses dhe udhëkryq të veçantë e konsideroj vendosshmërinë time për kyçjen në sportin e boksit, këtu në Gjermani. Mos ta harrojmë faktin, se unë erdha shumë i ri në Gjermani, dhe ishte një ballafaqim shumëdimensional. Familjar, shoqëror, kulturor, gjuhësor e mentaliteti...! Por si do qoftë, si rezultat i vendosshmërisë dhe vullnetit, disiplinës, talentit e përkushtimit, erdhën edhe sukseset stimuluese e motivuese, deri te pjesëmarrja në Olimpiadën në Atlanta dhe medalja e fituar atje (një krenari e veçantë)…sukseset e titujt e shumtë të fituar në boksin amator, pastaj vijnë radhaz, 34 meçet profesioniste, çdonjëri me përpjekje dhe emocionet unikale. Rëniet....ah! Janë tre meçe të humbura, por në fakt (mendohet...)! Po, humbja nga Saleta, ishte si të thuash një thyerje që la gjurmë...! Dhe ashtu sikurse la kjo rënie gjurmë, edhe më impresionues, ishte rikthimi i titullit të Kampionit Evropian, një nga satisfaksionet më të veçanta.

Cila ka qenë lufta më e ashpër me vetvetën? Padyshim se në nivelet në të cilat veproni, kërkohet nga çdo Kampion, pra edhe nga Ju, që të fisnikëroni vetën, me virtyte gjithherë e më të larta...? Me reforma, revidime, korrigjime të pa-kuptueshme ndonjëherë, apo më drejtë - pasurime...!

Krasniqi: Lufta më e ashpër me vetën ishte kur e humba duelin nga Brovster! Atëherë, në fakt më shpëtoi nga duart - titulli i Kampionit botëror. Aty, ku ngjau suksesi im më i madh....aty ku isha vërtetë superiorë, deri në “para-fundin e fundit...”aty, më shpëtoi nga duart, ëndrra ime...! Tek arsyet që mundësuan të “ngjajë” ajo që ngjau, kam punuar dhe vazhdoj të punoj..., me veten dhe botën që më rrethon...

Z. Krasniqi, Ju e kuptoni se shumë të rinj mes lexuesve tanë janë sportistë boksier, atletë, karateistë e xhudistë, etj. Të rinj që poashtu pretendojnë majat botërore...! Dua të shfrytëzoj nga ky rast i shkëlqyeshëm, që t`ju pyes diçka si informatë e këshillë për këta të rinj të cilët natyrisht se kanë parë filma si Rocky me Silvester Stalone etj...por, si duket në fakt përditshmëria e një boksieri në përgatitet për të fituar titullin e Kampionit Botërorë në kategorinë e rëndë... një titull që kishte Muhamed Ali? Po aq të rëndësishme sa ato fizike, duket se janë edhe përgatitjet psikike...mentale etj, pra si duken ato...si koordinohen...kush janë ndihmësit, asistentët! Analizat strategjike...videot e kundërshtarit...dilemat...vendimet e fundit! Na përshkruani Ju lutem, ta zëmë, periudhën kur përgatiteshit për meçin me Broster deri te hyrja në ring?

Krasniqi: Si çdo sportist, ushtrimeve trupore u kushtoj kujdes të veçantë dhe këto i aplikoj në mënyrë permanente e intensive, e jo vetëm kur paralajmërohet meçi. Ato i përcjell një program i organizuar, të cilin e sendërtoj me disiplinë të lartë. Sakrifikoj edhe termine të rëndësishme për të përmbushur obligimet sportive. Ndërkaq, posa të caktohet meçi, më pret një organizim i nivelit edhe më serioz. Natyrisht, fjalën kryesore e ka trajneri, ko-trajneri (vëllai im Agimi), por aty janë edhe Firat Arsllan, shoku im i mirë dhe të tjerë të cilët më shoqërojnë gjatë gjithë fazës së përgatitjeve. Natyrisht, që gjithë kjo bëhet me koordinim dhe seriozitet e disiplinë maksimale. Të gjithë këta, por edhe shok e miq të shumtë, aderues të boksit, më motivojnë dhe japin forcë përmes punës së përditshme, letrave, thirrjeve telefonike.....U jam mirënjohës të gjithëve për mbështetjen që më japin. Natyrisht, që fazës përgatitore i bashkëngjitet edhe vlerësimi i kundërshtarit, luftës së tij, taktikës etj. Çasti i ngjitjes në ring, është, si të thuash , stuhi para rrëmujës, është sa solemn aq edhe nxitës për të ngadhënjyer, ose motivim i fundit para luftës. Kështu ishte edhe në meçin që e përmendët.

Si duken çastet kur jeni në ring, para milionë spektatorëve. Çfarë ju shkon nëpër mend? A ndjeni ndonjë obligim se duhet të ngadhënjeni edhe për hir të fansave?

Krasniqi: Unë boksoj para së gjithash ngase boksi më bën kënaqësi. Spektatorët, ndërkaq, më japin gjithnjë forcë të veçantë me mbështetjen e tyre... Synoj të ngadhënjej, edhe ngase dua që të falënderohem në këtë formë gjithë atyre tifozëve të mijë, të cilët tradicionalisht mbushin sallat, kurdo e kah do që boksoj...por pa harruar edhe atë armatë milionëshe të fansave, që përmes ekraneve televizive i ndjekin meçet e mia…! Por më lejoni Ju lutem, që të shfrytëzoj këtë rast të shkëlqyeshëm që të falënderoj nga zemra, të gjithë përkrahësit, të gjithë spektatatorët e mijë shumë besnikë, të cilët nuk më kanë lënë asnjëherë vetë...! Më kanë përcjellë vërtetë këmba këmbës! Nga salla ne sallë! Nga meçi në meç! Nga fitorja në fitore – dhe nga humbja në rënie! Pse të mos e them me këtë rast se: Unë dhe tifozët e mië, kemi një bilans të shkëlqyer! 30 fitore në përpjekje të arritjes së titullit të Kampionit botërorë, pra gjithëherë në meçe që zhvilloheshin, në majat e majave të boksit internacional, dhe vetëm tri humbje! Kur je rrugëtarë në “Udhë të Madhe”, siç e thotë një proverb i yni popullor, të nxenë shiu dhe breshëri, dielli dhe hëna...! Falë zotit...ne kishim shumë, shumë më shumë diell sesa breshër...dhe ishim dhe mbetemi pushtues të suksesshëm, të majave më të larta...! Dhe natyrisht se mbetemi pretendues të pushtimit të Olimpit!

Majat janë adrenalinë - 100%! Por po e bëjmë një intermexo që të ndërrojmë temën. Një chill-out, me muzikë! Jeni i pasionuar pas muzikës Soul! Si lidhet romanca me boksin,... a dmth kjo që në shpirt Ju flenë butësia, sado që në boks-meç jeni Luan...?

Krasniqi: Edhe disiplina e boksit është art në vete. Rrallëherë zemërohem...ngase butësinë e parapëlqej. Thuhet se të gjithë njerëzit e mëdhenj i ka skalitur butësia, fisnikëria. Dhe kjo më frymëzon në sportin tim...Ai që është agresiv nuk mund të jetë kurrë i suksesshëm. Unë në përballjen e bokserëve, të boksit, nuk jam agresiv, por e kultivoj një formë të veçantë të taktikës luftarake, në këtë mjeshtri fisnike, siç jo rrallë ngjanë të quhet me eufemizëm boksi. Prandaj edhe kam arritur këtu ku jam. Unë sportit i jam përkushtuar me shpirt, muzika, ndërkaq, që t’i kthehemi temës, më jep forcë dhe motivon, më relakson...

Kemi kaq shumë aspekte për të biseduar, që të plotësojmë kërshërinë e lexuesit...! Të dalim pak te angazhimet tuaja shoqërore, ato kombëtare rreth Kosovës si dhe ato në Gjermani, ku keni një angazhim vërtet admirues: Ju kemi parë në aktivitetet për Kinderdorf në Kosovë e gjetiu...?

Krasniqi: Në aksione humanitare angazhohem gjithëherë kur më krijohet hapësirë efektive, dhe angazhohem me të njëjtin elan e energji sikur edhe në ring, e quaj për nder kur më krijohet rasti që të bëjë aq sa mundem për mirëqenien sociale të të përvuajturve, e kuptoj si të natyrshme dhe si detyrë njerëzore...
SOS Kinderdorfi ka bërë dhe po bën shumë për fëmijët, është institucion tejet serioz dhe i rëndësishëm. SOS Kinderdorf u mundëson fëmijëve që ka marrë në përkujdesje, afërsisht atë jetë, që do ta kishin në një familje normale. Andaj, jam krenar që kam mundësi që përmes SOS Kinderdorft, në formë pro-aktive, të jem në mbështetje të atyre fëmijëve.

Po angazhimet intensive shoqërore në Gjermani: në shkolla e gjimnaze për rininë, tek Nike, Mercedes?

Krasniqi: Gjithherë kur kam kohë, angazhohem edhe në jetën publike, dhe ky angazhim ka për qëllim kontinuitetin, forcimin e kontaktit, thellimin e bashkëpunimit me asociacione dhe institucione të ndryshme të cilat më ftojnë për ndërmarrjen e aktiviteteve në interes të përgjithshëm. Më flenë në zemër angazhimi për arritje më të mëdha të të rinjve në lëmin e arsimit, për çka propagandoj kudo dhe gjithherë. Po ashtu me moton tashmë të afirmuar në Gjermani, “Mos u bë kundërshtar i vetvetes”, angazhohem për një vetëdije më të lartë kundruall lojërave të fatit dhe tërheq vërejtjen për rrezikun nga varshmëria ndaj tyre, etj. I pa harruar më mbetet takimi me punëtorët e Mercedesit, të Nike.....pastaj me nxënësit në shumë shkolla të niveleve të ndryshme etj.

A është Luani apolitikë? Nëse jo, çfarë mendimesh ka për” rrjedhat politike në atdhe”? Cilat janë në të vërtetë meditimet politike të Luan Krasniqit kur përcjell lajmet e rrethanat politike në Kosovë, Shqipëri...

Krasniqi: Apolitik!? Nuk dua të besoj se ka ndonjë njeri që është apolitik në këtë kohë të vrullshme politike?! Kosova po ecë me hapa të sigurt drejt integrimeve evropiane dhe Veri-atlantike, dhe kjo është natyrisht motivuese për të gjithë ne... Krahas ndihmës dhe mbështetjes së madhe ndërkombëtare, e cila vazhdon të jetë e nevojshme, tash, më shumë se kurrë më parë, është i nevojshëm vizioni ynë i qartë dhe natyrisht, uniteti në veprim, uniteti rreth shtyllave kryesore të cakut tonë: zhvillimit ekonomik, thithjes së investimeve, punësimit të të rinjve, sistemit sa më cilësor të shkollimit,…kujdesit ndaj familjeve të të rënëve në luftë, mësimdhënësve, mjekëve, policëve, pensionistëve…etj! Një decenie e plotë na ndan nga çlirimi. Dhe faza e transicionit ka kaluar, apo më drejt duhet ta kishim kaluar! Tashti e kemi shtetin tonë, andaj, të arsyetohemi edhe më tutje, për problemet e dobësitë që vazhdojnë të jenë prezente në Kosovë e Shqipëri, në shoqërinë shqiptare, e kemi shumë të vështirë sot, kam frikë se do ta kemi edhe më të vështirë nesër...! Në këto rrethana të favorshme globale, nuk na amniston më asnjë njeri...aq më pak gjeneratat që vijnë!

Z. Krasniqi, të paktën ne, nuk na ka ngjarë asnjëherë që të lexojmë ndonjë prononcim tuaj, apo më drejtë ndonjë pozicionim tuajin, rreth të majtës, SPD, Die Grüne, Die Linke dhe të Djathtës, CDU, CSU dhe FDP – Liberalëve...! Natyrisht se si përkthyes profesionist në gjykatat gjermane, si një intelektual, dhe si një schëabe me prejardhje kosovare, ju keni pasë reflektime e meditime mbi tema nga më të ndryshmet, pra keni formësuar opinionin tuaj rreth politikës dhe legjislativit gjermanë...! E para na intereson... kah “ngreh” politikisht qerrja e Luan Krasniqit në Gjermani?

Krasniqi: I gëzohem përparimeve që bën Gjermania në të gjitha sferat. Është shembull për klimë konstruktive (jo-obstruksioniste mes pozitës dhe opozitës), shembull për tolerancë politike e partiake. Partitë politike këndej, kanë një qëllim të vetëm, që përmes formave të veprimit në drejtime nga më të ndryshmet, të bëjnë jetën e qytetarit të Gjermanisë dhe njeriut gjithandej - më të lumtur e më të denjë. Kjo në Gjermani po arrihet për mrekulli dhe mua natyrisht se më gëzon ky fakt dhe ky inercion i tyre fisnik...

Kur jemi te politika për Kosovën, a ekziston në fakt ndërlidhje mes dy arenave, asaj të boksit dhe arenës politike? Të jemi më të drejtpërdrejtë: Ju jeni një ndër ikonat mediale në Gjermani, gjatë emitimit të meçeve tuaja, televizioni ZDF ka arrit shifra të paimagjinueshme (disa milionëshe) të shikuesve (shikueshmërisë)... Por ajo që i intereson lexuesve tanë është se si qëndron puna me shtetin më te ri në botë - Kosovën, i cili aq shumë ka nevojë për njohje, respektivisht për afirmim pozitiv! Njëherë tjetër, para sa vitesh, për afirmim të Kosovës karshi miliona teleshikuesve anekënd botës, patët shpalosë flamurin e presidentit I. Rugova...! Tash ndërkaq, kemi shpallë Pavarësinë, kemi flamurin definitiv të Kosovës, andaj shtrohet vetvetiu pyetja: Do ta shohim ndonjëherë Luanin në TV-të Gjermane me atë flamur (përveç atij gjerman natyrisht)...?

Krasniqi: Boksi ka ngjashmëri me politikën. Por, dallimi esencial është se ne boksierët biem e ngrihemi përsëri, por ata që bien nga politika, e kanë shumë më të vështirë ri-ngritjen...! Unë nuk i përkas asnjërës nga partitë politike, por suksesit të secilës prej tyre, në ndërtimin e shtetit të fortë të Kosovës, i gëzohem gjithsesi. Mburrem që më është dhënë mundësia ta përfaqësoj sportin gjerman në arenën e boksit Internacional! Ishte Gjermania që më dha mundësitë, predispozitat dhe ambientin, që të arrij në këtë nivel... Por njëkohësisht, unë në këtë mënyrë e kam përfaqësuar edhe sportin e trevave nga vij, Kosovën e shqiptarët, dhe kjo natyrisht se më bën tejet të lumtur. Jam përpjekur gjatë gjithë kohës, pra në kontinuitet, që në rrethanat e dhëna dhe format për mua të realizueshme që të afirmoj kërkesat kosovare për shtet, liri dhe pavarësi. Në këtë funksion ka qenë dhe do të jetë edhe përdorimi i simboleve tona. Edhe aktualisht nuk po rrijë duarkryq, kudo që më jepet mundësia loboj për afirmimin pozitiv dhe për mbështetje të Kosovës. Në anën tjetër unë, në mënyrë aktive dhe krejt të natyrshme, përçoj gjithandej ku e kah arrij, edhe falënderimin tim personal, por edhe të të gjithë kosovarëve, ndaj shtetit ku jetoj – Gjermanisë! Jam shumë, shumë mirënjohës (dhe këtë e shpreh në të gjitha takimet), për gjithë atë që kanë bërë e po bëjnë për Kosovën Qeveritë Gjermane. Kjo vlen qoftë për Qeverinë – Schröder – Fischer (1999 - rreth çlirimit të Kosovës), sikurse edhe për Qeverinë aktuale të udhëhequr nga Kancelarja Merkel dhe Vicekancelari Steinmeyer, veprimtarinë e tyre rreth procesit të njohjes së Pavarësisë së Kosovës. Tutje jam falënderues edhe për mirëkuptimin e qasjen pozitive që kishin ndaj Kosovës, të gjitha partitë e Bundestagut gjerman, natyrisht, pa harruar asnjëherë edhe shoqatat e shumta humanitare dhe përgjithësisht popullin gjerman, individ e filantropë të ndryshëm që kanë dhënë e vazhdojnë të japin për Kosovën!

Prezenca Juaj gjithandej në mediueme, në forume e seminare të ndryshme gjermane e ndërkombëtare, pastaj si bartës projektesh të ndryshme shoqërore për rininë në Gjermani...dhe duke pas parasysh Netëorkun tuaj, lidhjet si i quajmë ne, mund ta mendoni veten si një lobist ekonomik e diplomatik i Kosovës, si Konsul etj...

Krasniqi: Si e theksova edhe më lartë, unë edhe pa poste e emërime zyrtare nga Kosova, kudo që kam rastin, loboj për Kosovën dhe zhvillimin e saj. Jam optimist se do të bëhet një përparim i dukshëm. Investimet e jashtme janë tash të domosdoshme, por për këtë duhet siguruar parakushtet përmes infrastrukturës jo vetëm rrugore, energjisë elektrike...etj por edhe asaj ligjore, dhe te shtetit të ligjit e ligjshmërisë...

Si e sheh Luani diasporën,...a mund të jetë diaspora jonë fuqi lobuese ekonomike dhe politike? Pastaj çfarë mendoni, si e sa po trajtohet diaspora nga Institucionet shtetërore në vend...(si implitim social e politik, vetëm kur atedheu ka nevojë, apo ?... ) ?

Krasniqi: Pa diasporën, Kosova nuk do të ishte kjo që është. Fuqia, potenciali dhe resurset e diasporës sonë kanë qenë dhe janë shumë të mëdha. Në diasporë është burim i madh kreativ, punues, intelektual dhe gjithsesi ekonomik. Ka shumë sportist në zë, njerëz të artit e kulturës, të tjerë të shkencës, shumë afarist të suksesshëm, krijues të të gjitha zhanreve! Me bashkëkombasit tanë, mburren edhe vetë vendet ku ata ndodhen. Andaj konsideroj se ky potencial duhet të shfrytëzohet gjithsesi shumë më shumë nga Institucionet e shteteve tona, nga Kosova e Shqipëria! Me një fjalë, duhet kanalizuar i gjithë ky potencial për afirmim, zhvillim dhe mirëqenie Kombëtare!

A ka në të vërtetë sfidë identitare Luan Krasniqi? Më intereson në fakt: A përballen në personalitetin tuaj identitetet e të “qenurit” njëkohësisht, kosovarë, shqiptarë dhe gjerman, plus edhe schëabe?

Krasniqi: Unë jam në gjithë botën si në shtëpinë time. Pra ndjehem më se i lumtur aty ku ndodhem, por dhe gjithandej ku ndodhet familja ime, farefisi, shokët e miqtë mi…

Në rastin e dorëzimit të Oskarit të 14 të gazetës BILD në Leipzig, Ju jeni takuar me shkëlqesin e tij, Dalaj Lama, dukeshit vërtetë i impresionur, kur deklaruat për mediat gjermane se: “Shkëlqesia e tij, Dalai Lama është një njeri i veçantë, një personalitet i madh. Ishte nder për mua ta takoj atë... Thuhet se besimi lëkundë bjeshkët. Tek një njeri aq karizmatik si Dalai Lama, njeriu fillon të besoj se vërtetë mund të lëkund bjeshkët... ” Besoni ne botën spirituale?A, fshehet fuqia fizike, edhe në fuqine spirituale ?

Krasniqi: Personalitetet e tilla unike, si shkëlqesia e tij Dalai Lama, janë burim frymëzimi...

Të bisedojmë pak për karrierën tuaj: ç´farë mund të na thoni për luftën e Juaj të fundit, ç´farë mendoni kur u bie ndërmend?

Krasniqi: Njeriu në jetë gjithnjë mëson. Por, për luftën e fundit, as që mendoj, ndonëse mund të them se akoma nuk e di se çka ndodhi me mua atë natë. Jeta megjithatë vazhdon dhe të ardhmen e shoh me optimizëm.

Shumë shpejt, më 15 nëntor në Dysseldorf Ju do të keni edhe një përballje me boksierin me shumë perspektivë, nr. 1 në ranglistën e ËBO, Alexander Dimitrenkon, e cila në rast të fitores suaj, ju krijon përsëri mundësinë për një meç për kampion bote...? Sa jeni i përgatitur për luftën e ardhshme?

Krasniqi: Për meçin e ardhshëm jam duke u përgatitur kaherë dhe në mënyrë intensive. Unë përndryshe asnjë çast nuk i kam ndërprerë përgatitjet dhe se ndihem në formë tejet të mire, që më garanton suksesin që synoj. Dueli do të jetë interesant sepse unë dhe kundërshtari im preokupohemi me të njëjtin qëllim, që të ngadhënjejmë për të shkuar një hap më tej drejt titullit të kampionit botëror. Dimitrenko, është një boksier intensiv, i shpejtë dhe i përgatitur mire. Në boksin profesionist ka arritur 28 fitore nga 28 meçet e zhvilluara. Por shkathtësitë e tij, megjithatë për mua nuk paraqesin problem serioz, sepse përvoja ime nga duelet me boksierët me renome botërore, më mundëson përballjen me sukses në luftën që më pret.

Zotëri Krasniqi, Ju falënderojmë përzemërsisht për kohën që na dhuruat dhe urojmë suksese e fitore të njëpasnjëshme, në të gjitha frontet!

Krasniqi: Shëndet dhe gëzime lexuesve tuaj si dhe simpatizuesve të mi kudo që ndodhen.

(Shkrimi eshte botuar ne Gazeta „Lajm“ në Maqedoni, "Shqip" në Shqipëri dhe në gazetën „Zëri“ në Kosovë)
Shtuar më 06/10/2008, ora 23:20
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori