Inzaghi bast me Gallianin: E bëj Balotellin sulmues të vërtetë
Pëlqej
Edhe pse kjo fazë përgatitore nuk ka qenë ekzaltuese për të, duke shënuar vetëm një gol fantastik me goditje dënimi, në fitoren 3-0 ndaj meksikanëve të Chivas, për Mario Balotellin ky do të jetë, ose të paktën duhet të jetë sezoni i kthesës së madhe. Siç konfirmon e përditshmja "TuttoSport", Filippo Inzaghi ka qenë i vetmi në stafin teknik dhe atë drejtues që ka besuar te 24-vjeçari.

Ndonëse presidenti Silvio Berluskoni e "tradhtoi" menjëherë pas aventurës braziliane, duke bërë një dalje bombastike, "Botërorin e humba unë, jo Italia, sepse tani kush ma blen më këtë Balotelli", trajneri i ri i kuqezinjve stopoi bisedimet që menaxheri Mino Raiola kishte nisur me klubet si Arsenali dhe Liverpooli.

Edhe Administratori i Deleguar Adriano Galliani kishte marrë urdhrin nga "bosi" i tij që ta largonte "Super-Marion", për të arkëtuar miliona të rëndësishëm që mund të përdoreshin në merkato, por Filippo Inzaghi i kërkoi klubit të tij edhe një shans të fundit: "Do e bëj unë Balotellin një sulmues të vërtetë".

Dhe si sulmuesi-sulmuesit, Super-Pippo kërkoi një konfrontim direkt dhe serioz me Super-Marion, duke i zbuluar lojtarit të vërtetën e madhe, se trajneri kishte vënë bast për të kundër klubit, kundër presidentit dhe administratorit, kundër atyre që i paguajnë rrogën.

Më qartë se kaq, Inzaghi nuk mund t’ia transmetonte këshillën e tij Mario Balotellit, i cili sivjet duhet të nisë të punojë, të mësojë nga një "vrasës" zone si trajneri i tij dhe të bëjë hapin e madh të karrierës, ose ky për të mbase nuk do jetë vetëm viti i fundit te Milani, por mbase edhe viti i fundit në një klub të madh sa kuqezinjtë.

Edhe pse në të kaluarën shumë trajnerë i kanë besuar dhe shumë prej tyre janë zhgënjyer, dhe mjafton të përmendësh emrin e Jose Mourinhos, për Mario Balotellin ka ardhur momenti i së vërtetës. /albeu.com/


Shtuar më 17/08/2014, ora 09:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori