Inzaghi bën gati revolucionin, 14 largime nga Milani (FOTO LAJM)

AMELIA
Pas zyrtarizimit të trajnerit të ri, i cili do të jetë Filippo Inzaghi, Milani ka përveshur mëngët për të ndërtuar skuadrën për sezonin e ardhshëm. Klubi kuqezi është ai që ka lëvizur më shumë në merkato duke afruar pesë lojtarë: Agazzi, Alex, Menez, Rami dhe Poli. Por organika që ka në dispozicion "Super-Pipo" është e mbipopulluar dhe Administratori i Deleguar i Milanit, Adriano Galliani po punon për të bërë spastrime.

Kuqezinjtë do të luajnë në sezonin e ardhshëm vetëm në kampionat dhe Kupë Italie, për këtë arsye nuk është e nevojshme që organika të jetë shumë e pasur. Deri më tani, Amelia, Coppola, Emanuelson dhe Silvestre, në përfundim të kontratës së tyre janë larguar, por lista është ende shumë e gjatë, pasi për momentin Milani numëron plot 35 lojtarë.
Një numër i ekzagjeruar, i cili është më i larti në Itali.

Por cilët janë lojtarët e "padëshiruar" që po bëhen gati t’i japin lamtumirën "Djallit"?. Në krye të listës figurojnë emrat e Robinhos dhe Mexes, lojtarë që përfitojnë një rrogë të lartë vjetore dhe nuk janë më në qendër të projektit. Për sa u përket largimeve, nuk mungojnë edhe emrat me peshë si ai i Rikardo Kaka (që mund të rikthehet në Brazil) dhe ai i Nigel De Jong (i hidhëruar pas largimit të Seedorfit). Holandezi kërkohet në Premier league dhe duket se po mendon largimin.

Më pas kalojmë te lojtarët që prej disa muajsh nuk figurojnë në planet e Milanit: Zaccardo, Birsa, Petagna dhe Saponara nuk gjejnë më vend në organikën e Inzaghit.

Një kapitull tjetër janë dhe futbollistët që janë rikthyer nga huazimet: Didac Vila, Matri, Niang, Nocerino, Verghara, Traore. Është e paevitueshme që Milani kërkon të gjejë një sistemim për ta.

Një tjetër lojtar që Inzaghi nuk do të mërzitej në rast se largohet, është dhe mbrojtësi Kevin Constant, i cili në Milano prej disa kohësh është "non grada" nga Galliani dhe bashkëpunëtorët e tij.

Një çështje ende pezull është Adel Taarabt, i huazuar në janar nga QPR. /albeu.com/


Shtuar më 11/06/2014, ora 13:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori