Inzaghi: Kërkojmë fitoren ndaj Sampdorias
Milani do të testojë forcën nesër ndaj një kundërshtari që mban pozita komode në klasifikim. Pas dy sukseseve rresht në kampionat, Filipo Inzaghi kërkon të ruajë vazhdimësinë e rezultateve pozitive por Sampdoria mbetet një vizitor jokomod.

"Pikët që ka në klasifikim i ka merituar, prandaj duhet të tregohemi të kujdesshëm. Sampdoria ka lojtarë të mëdhenj dhe unë mendoj se është skuadër e kompletuar. E kemi përgatitur ndeshjen në mënyrën e duhur dhe do të kërkojmë fitoren", u shpreh në konferencën për shtyp tekniku kuqezi.

Në transfertën e Palermos kuqezinjtë funksionuan si një skuadër e bashkuar duke dhuruar edhe kombinime interesante në sulm. Trajneri e pranon se gjërat kanë filluar të funksionojnë.

"Janë kombinime që bëjnë pjesë në ADN-në tonë por duhet kohë sepse disa lojtarë janë bashkuar me ne në muajin janar. Menez? Është një lojtar i disiplinuar dhe mendoj se po bën mirë në çdo pozicion që luan", vijoi Inzaghi. /albeu.com/


Shtuar më 11/04/2015, ora 16:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori