Ish-prokurori italian, hedh "bombën": Deshëm hetim për rastin Pjanic-Rafinha, por dosja ishte zhdukur
Ish-prokurori i FIGC, Giuseppe Pecoraro ka zbuluar se audio VAR-i nga një incident i diskutueshëm i ndeshjes Inter-Juventus në vitin 2018 u zhduk.

Kjo ishte një ndeshje vendimtare në garën Scudetto të sezonit 2017-18, por gjithçka ndryshoi pas fitores 3-2 të Juves ndaj Interit më 28 prill të 2018.

Shumica do të pajtoheshin që Miralem Pjanic ishte jashtëzakonisht me fat që nuk u ndëshkua me një karton të dytë të verdhë pas faullit në Rafinhan, veçanërisht pasi Matias Vecinos tashmë i ishte dhënë një karton i kuq pas rishikimit.


Prokurori i FIGC, Pecoraro foli për gazetën italiane Il Mattino dhe zbuloi disa anomali kur u përpoq të hetonte rastin, i cili sipas tij u zhduk.

“Ishte gjykimi i Daniele Orsatos në ndeshjen Inter-Juventus që më bëri që të kem tension me gjyqtarët”, ka thënë fillimisht Pecoraro, i cili dha dorëheqjen nga posti i tij në dhjetor të vitit 2019.

“Unë kisha marrë ankesa për gjykimin e tij nga shoqata të ndryshme dhe grupe tifozësh. Nuk mendoja se do të gjenim ndonjë gjë të paqartë, por për të qenë të sigurt, u përpoqëm të hapnim një hetim”.

“Kërkova nga AIA (Shoqata e Gjyqtarëve Italianë) dhe pastaj Lega Serie A, vetëm për të qenë të sigurt, të dëgjoja dialogun me audio-video midis VAR-it dhe gjyqtarit kryesor (Orsato)”.

“Më është dashur të insistoj, përndryshe çfarë lloj prokurori federal jam? Ata na dhanë vetëm dosjet në fillim të sezonit tjetër, por pati një befasi”.

“Ne hapëm dosjen dhe e vetmja pjesë që nuk ishte regjistruar ishte ajo e vetmja për të cilën ne u interesuam: ajo midis Orsatos dhe VAR-it kur Pjanic nuk u dërgua jashtë me të kuq”.

“Arsyeja? Ata më thanë që nuk ishte aty. Ne kemi nevojë për më shumë transparencë”, përfundoi ish-prokurori i FIGC-së.
Shtuar më 03/05/2020, ora 16:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori