Ish-trajneri i Partizanit hetohet për pastrim parash, zbardhet biseda në prokurori
Ish-trajneri i skuadrës së Partizanit, Mark Iuliano, është përfshirë në një hetim nga Prokuroria e Latinës, në kuadër të një hetimit që ajo ka nisur për skemë pastrimi parash. Ishpresidenti Paskuale Maieta akuzohet se ka përdorur disa prona shtetërore, të cilat i ka deklaruar si të dhëna me qira për të fshehur të ardhurat e tij dhe të familjes së tij.

Sipas prokurorisë, Maieta përdorte mënyra të ndryshme për të pastruar paratë nga aktivitetet e jashtëligjshme dhe në këtë skemë ka qenë i përfshirë edhe Iuliano, i cili drejtoi latinën në sezonin 2014- 2015.

Sajti “latinaoggi.eu” ka zbardhur edhe një pjesë të dëshmisë së dhënë para prokurorëve të ish-trajnerit të Partizanit, i cili ka qenë edhe nën përgjim dhe mjaft i shqetësuar për thirrjen që i është bërë. Maieta ka qenë edhe deputet italian, që kishte në administrim disa prona shtetërore.

DEKLARATAT NË PROKURORI

Pyetje nga prokuroria: Ku keni banuar gjatë drejtimit të Latinës? Iuliano: Në momentin e parë që kam mbërritur në Latina, kam pyetur presidentin Paskuale Maieta për të më ndihmuar të gjeja një apartament që të merrja me vete edhe familjen time. Pagesa për apartamentin do të paguhej nga klubi, pasi një gjë të tillë ishte e përcaktuar në kontratë.

Në gusht të vitit 2014, kur edhe erdha në qytet, kam qëndruar në “Park Hotel” dhe në mesin e muajit shtator ka ardhur edhe familja ime dhe jemi vendosur për të jetuar në një banesë në rrugën “Del Lido nr.60”. Unë nuk e di se çfarë çmimi ka pasur qiraja, pasi kam paguar vetëm faturat e tjera.

Prona ishte e mobiluar dhe kam dëshiruar që të vendosesha aty, pasi edhe familja ime e ka pëlqyer menjëherë sapo e ka parë. Nuk mbaj mend nëse apartamentin e kam parë për herë të parë në prani të presidentit Maieta apo Roverto Noces, mik i tij.

Ndërsa apartamenti tjetër u propozua për qëndrimin tim nga menaxheri i ekipi, Pierluixhi Sperduti, dhe besoj se mund të jetë pronë e tij. E pranova menjëherë pasi ishte më i mirë se ai ku po qëndroja dhe në këtë banesë nuk kam paguar as qira dhe as faturat. Jetova aty deri më 1 nëntor, ku pas shkarkimit tim nga drejtimi i skuadrës jam rikthyer me familjen time në Pavia.

Iuliano telefonon menaxherin e skuadrës së Latinës, Pierluixhi Sperduti, pas thirrjes nga prokuroria dhe duket mjaft i tensionuar

Iuliano: Unë do t’i them se nuk kam bërë asnjë kontratë më ty?

Sperduti: Ëëëëë…

Iuliano: Gjithsesi nëse më pyesin ku kam jetuar, do i them se kam qëndruar në shtëpinë tuaj.

Sperduti: Sigurisht.

Iuliano: Do i them që nuk kisha kohë për të bërë kontratën… Isha i ftuar në shtëpinë tënde ëë… Sepse ende nuk e kisha bërë kontratën, por isha mysafir. Ose nuk kisha kohë të bëja kontratën dhe më pas u largova.

Sperduti: Sigurisht.

Iuliano: Por unë, e di, nuk mbaj mend. Duhet të pyesni Xhanin për kontratën time, ai duhet ta ketë. Unë nuk kam një kopje ose më ka humbur.

Sperduti: Por, mund ta dërgojmë.

Iuliano: Jo, shikoni më lejoni të kontrolloj… Nëse unë kam ushqimin të përfshirë në kontratë dhe strehimin, apo më shumë para, janë gjëra që shkruhen aty. Pra, ndoshta ato varen direkt nga…

Sperduti: Po, sigurisht.

Iuliano: Kontrollojeni këtë gjë në rregull.

Sperduti: Qëndro i qetë.

Iuliano: Në rregull, do të njoftoj kur…

Sperduti: Më thuaj kur të shkosh.

Iulano: Ndoshta dëshironi t’ia thoni edhe presidentit, sepse gjithsesi…

Sperduti: Është normale që të jetë edhe klubi i Latinës në mes, është normale.

Iuliano: Po, megjithatë dëshmoj atje dhe nuk ndodh asgjë
Shtuar më 19/04/2018, ora 22:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori