Ish-trajneri kritikon Vllazninë për merkato të dështuar
Ish-sulmuesi dhe njëkohësisht ish-trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, mendon se klubi shkodran ka gabuar në merkato me afrimin e shumë mesfushorëve, duke mos arritur të marrë një sulmues që garanton gola. I ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në “TVSH”, Martini ka theksuar ndër të tjera se, Vllaznisë ia ka sugjeruar trajnerin Ernest Gjoka ish-presidentit Valter Fushaj. Fillimisht, Martini foli për humbjen e kuqebluve ndaj Partizanit.

Vllaznia ka krijuar volum të madh loje, por pa rrezikshmëri. E ka pasur më shumë topin në kontroll, por kanë munguar goditjet në portë. Kemi gjuajtur portën vetëm në minutën e 66-të, ndërsa Partizani me një gjysmë rasti shënoi. Gabojmë sërish në mbrojtje, edhe pse ekipi ishte më aktiv se ndeshjet e tjera”.

MERKATO

Edhe pse ka qenë pro afrimeve të bëra në verë, sërish Martini është shprehur se Vllaznia kishte nevojë për sulmues dhe qendërmbrojtës, jo gjashtë mesfushorë.

“Klubi duhet të kishte harxhuar më tepër për një qendërmbrojtës dhe një sulmues. Vllaznia ka shpenzuar lekë në këtë merkato, por momentalisht ka 6 mesfushorë për tre pozicione. Me të vërtet që edhe unë si trajner nuk do t’i thosha jo asnjërit prej mesfushorëve të afruar, por kjo ka ndikimin e vetë jo pozitiv.

Në stol qëndrojnë lojtarë me rroga që shkojnë 12 milionë lekë të vjetra në muaj, në total. Pra, këta mbeten lojtarë stoli. Duke afruar një mbrojtës, edhe Orelesi mund të ishte përdorur në qendër te mesfushës, ku dhe jep më mirë. Nuk u afrua një sulmues cilësor. Kemi një Vllazni që vetëm mbrohet dhe shpreson te ndonjë kundërsulm.

Por, me kontingjentin që ka Vllaznia, nuk ka për të luajtur e ngjeshur në mbrojtje, pasi kjo skuadër ka fantazi, ka qarkullim topi, ka edhe lojtarë që shkojnë përpara dhe dinë të shënojnë. Vllaznia ka lojtarë që shikojnë lart dhe pavarësisht se kanë probleme fizike, duhet që të shtyjnë drejt sulmit, pasi mund të japin më tepër”, theksoi Martini.

PRIVATIZIMI

Mungesa e llogarisë shikohet si diçka negative, që sipas Martinit ndikon shumë në ecurinë e Vllaznisë.

“U bënë 5 vjet që vijnë e shkojnë trajnerë dhe përgjegjësia është shumë e vogël. Ata nuk japin askund llogari, por edhe nuk iu kërkohet llogari nga askush. Mendoj se në këtë drejtim, duhet që Vllaznia të ishte në dorën e një personi, pasi në këtë mënyrë nuk mund të luhet aq lehtë me lekët e tij.

Klubi është një ndërmarrje e bashkisë, e cila po goditet më shumë nga futbolli. Shkodra zien për futbollin dhe pavarësisht se bashkia investon, prapë rezultatet nuk janë të duhurat. Bashkia duhet të shesë sa më parë aksionet dhe të lirohet nga vetë klubi. Ajo investon 1 miliardë lekë dhe pavarësisht vonesave, sërish pagat merren”, raporton Panorama.

TRAJNERI I RI

Martini zbulon se Ernest Gjokën te Vllaznia e ka afruar ish-presidenti Fushaj.

“Mesa di unë, ka qenë Fushaj ai që ka sugjeruar Gjokën për t’u emëruar trajner. Vllaznia në kohën e presidentit Fushaj ka qenë pjesëmarrëse e rregullt në Kupat e Europës. Flitet edhe për një afrim të Fushajt pranë klubit. Kjo mund të ndryshonte krejt klimën. Jabanxhinjtë në Shkodër e kalojnë mirë, por gjithmonë në mungesë të rezultateve, natyrshëm edhe presioni është i madh.

Nuk është i madh sa duket, por në rrjetet sociale, në mediat e ndryshme, në mungesë të rezultateve, kryqëzohet ekipi, drejtuesit e kështu të gjithë janë nën presion. Vllaznia rënkon gjithë këto vite. Shpresonim që këtë vit të ishte ndryshe, por kjo është situata.

Tani duhet të jenë këta futbollistë që të marrin në dorë fatet e Vllaznisë. Nuk ka çfarë të bëjë një Gjoka apo dikush tjetër në këto momente. Unë i sugjeroj të krijoj një atmosferë të mirë harmonike mes ekipit. Janë tre-katër lojtarë që e kanë të vështirë për ta pranuar stolin. Gjoka duhet të bëjë më shumë rolin e psikologut sesa trajnerit”.
Shtuar më 24/10/2017, ora 16:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori