Ish-ylli i Egjiptit nuk ia përton Salah: Neglizhent ndaj Koronavirusit
Pavarësisht pauzës për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, nuk është një moment i mirë për Liverpoolin. Në rikthimin nga pauza, Jurgen Klopp do ta gjejë veten me "dhimbje koke" për të bërë formacionin. Mes dëmtimeve të vjetra dhe të reja, trajneri gjerman nuk do të ketë në dispozicion gjithë mbrojtjen titullare dhe duhet të përballet edhe me shumë mungesa edhe në zonat e tjera të fushës. Disa prej të cilave mund të evitoheshin, si për shembull ajo e Momo Salah, që kthehet nga udhëtimi nga Egjipti me një vëlla të sapomartuar dhe i infektuar me COVID-19.

Sulmuesi i të kuqve është në qendër të polemikave, pasi ka marrë pjesë në dasmën e vëllait të tij pa marrë masa parandaluese për të evituar infektimin me Koronavirus. Ai që e kritikon është një lavdi e vjetër e kombëtares egjiptiane. Mido nuk është një nga ata që e fsheh atë që mendon dhe në një intervistë është shprehur në këtë mënyrë për Salah:

"E di shumë mirë që do të më sulmojnë për komentet që do të bëj, por, gjithsesi, duhet t’i bëj. Mohamed Salah ka bërë një gabim shumë të madh që mori pjesë në dasmën e vëllait të tij pak ditë para ndeshjes me kombëtaren egjiptiane. Ka treguar një neglizhencë të madhe sa i përket masave parandaluese ndaj Koronavirusit dhe rezultati është që tani është i infektuar, duke vënë në rrezik edhe shëndetin e shokëve të tij".

Mido është i papërmbajtshëm në lidhje me çështjen, duke u treguar i drejtpërdrejtë.

"Nuk duhej të shkonte në dasmë, veçanërisht tani. Kishte 800 njerëz aty dhe gjysma e përqafuan dhe e puthën".

Kritikat e ikonës së futbollit egjiptian nuk mungojnë edhe në drejtim të Federatës dhe drejtuesve të saj.

"Një çështje tjetër është që drejtuesit nuk flasin, diçka që tregon se për ta Salah është më i rëndësishëm edhe se kombëtarja. Kur unë nuk shkova në Kupën e Afrikës në vitin 2006 më përjashtuan për 6 muaj. Por këtë herë drejtuesit e federatës nuk thanë asnjë fjalë, pasi janë burracakë dhe kanë frikë nga reagimi i tifozëve të Salah. Unë them atë që duhet thënë. Salah është fajtor për atë që ka bërë, por të gjithë kanë frikë ta thonë".
Shtuar më 18/11/2020, ora 15:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori