Ish-ylli i Tottenham: Maguire është amator
Rafael van der Vaart e ka krahasuar mbrojtësin e Manchester Unitedit, Harry Maguire, me lojtarë amatorë, duke thënë se kur shikon futboll amator të dielave, sheh lojtarë të ngjashëm me anglezin.

Ish-ylli i Holandës Van der Vaart i bëri këto komente thumbuese për 26-vjeçarin pas barazimit të Manchester Unitedit 1:1 kundër Liverpoolit të dielën në Premierligë, megjithëse po fitonte deri në minutën e 92-të.

Skuadra e Ole Gunnar Solskjaer e ka ruajtur portën e paprekur në vetëm dy ndeshje në ligë këtë sezon, me Maguire – për të cilin i shpenzoi 92 milionë euro për ta blerë nga Leciester City – që ka dështuar të ketë ndikim të madh në mbrojtje deri tani.

Van der Vaart, i cili i kaloi dy sezone në Premierligë me Totteham, thotë se Unitedi shpenzoi tepër shumë për 26-vjeçarin, aftësitë e të cilit i krahason me një lojtar amator.

"Kur shikoj futboll amator të dielave, i gjej tre lojtarë të cilët luajnë si ai. E kam seriozisht", tha Van der Vaart për Ziggo Sport.

"Mund të tingëllojë budallallëk, ama nuk na dëgjon ai, gjithsesi. Në fund të fundit, po flasim për një lojtar që ka kushtuar 90 milionë euro. Atëherë Virgil van Dijk vlen 300 milionë euro", shtoi ai.

"Gjatë Ligës së Kombeve, unë punoja për televizionin holandez. Më kujtohet kur thoshim: ‘Harry Maguire ishte lojtari më i keq në fushë’. Dy muaj më vonë, ai kushtoi 92 milionë euro", theksoi ai.
Shtuar më 21/10/2019, ora 09:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori