Iuliano i gatshëm për eksperimente të reja, rotacion në formacionin e radhës
Pëlqej
Partizani ka mbyllur dje përgatitjet për ndeshjen e javës së pestë që do të luajë sot, në orën 19:00, në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit ndaj Teutës.

Gjatë gjithë seancave stërvitore të kësaj jave, trajneri Mark Iuliano ka provuar disa formacione të ndryshme, duke mos lënë të kuptohet se cili prej tyre do të jetë nga minuta e parë në këtë sfidë të rëndësishme për vazhdimësinë.

Kjo, pasi nga Partizani kërkohet me çdo kusht fitorja e parë në këtë kampionat. Në portë nuk do të ketë ndryshime dhe Alban Hoxha do vazhdojë të jetë titullari. Në të djathtë të mbrojtjes, Progni duket se ka bindur trajnerin Iuliano dhe do vazhdojë ta mbajë këtë pozicion edhe në këtë ndeshje, raporton Panorama.

Malota ka rifituar gjendjen e tij optimale pas periudhës së rikuperimit dhe pritet të jetë në qendër të mbrojtjes së bashku me Atandën. Kotobelli edhe njëherë tjetër konfirmohet në krah. Të paktën kjo ka qenë vendosja që trajneri Iuliano ka bërë në stërvitjen e ditës së djeshme.

MESFUSHA

Në mesfushë parashikohet të ketë ndryshime në krahasim me përballjen e fundit. Në krah të djathtë mund të rikthehet Vila nga minuta e parë, ndërsa në qendër La Kamera ka blinduar një vend titullari, edhe pse paraqitjet e tij nuk kanë qenë të mira. Batha mund të jetë lojtari tjetër në këtë repart, edhe pse dje është provuar edhe Shahinas.

Megjithatë, kapiteni është më i avantazhuar për të qenë në fushë, duke parë edhe formën e mirë që ka treguar në takimet e fundit. Gjithmonë duke u bazuar tek ajo që u pa në përgatitjet e djeshme, trajneri ka planifikuar një mesfushë me tre futbollistë.

SULMI

Reparti i avancuar gjithashtu do të pësojë ndryshime në këtë sfidë. Trajneri Iuliano pritet të luajë me tre sulmues të deklaruar, edhe pse dy anësorët do të kenë dhe detyra mbrojtëse në momentin kur topin do ta ketë kundërshtari. Me sa duket, Iuliano kërkon një presing lart të skuadrës së tij, në mënyrë që të gjejë golin sa më shpejt.

Por, ajo që bie në sy është se në formacion, dje tekniku ka rikthyer Sukajn në qendër të sulmit, si dhe Herrerën nga minuta e parë. Ky i fundit luajti si zëvendësues në ndeshjen ndaj Lushnjës dhe duket se e ka bindur trajnerin me aftësitë e tij. Trashi do të mbajë krahun e majtë të sulmit.





Shtuar më 12/10/2017, ora 09:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori