Iuliano vazhdon të jetë optimist: Kritikat të padrejta
Pëlqej
Pavarësisht se Partizani nuk fiton dhe nuk ka shënuar në katër javët e para të kampionatit, Mark Iuliano shfaqet i qetë përpara trasfertës me Teutën. Trajneri i të kuqve tregon arsyet e gjendjes së tij, ndërsa zbulon edhe si e ka përgatitur skuadra duelin e kësaj të enjteje në “Niko Dovana”.



Mark Iuliano

Jemi relativisht të qetë. Djemtë kanë punuar mjaft mirë, e dinë që është një moment delikat, por janë të vetëdijshëm se i kemi aftësitë për të dalë nga kjo situatë. Skuadra është e vetëdijshme se është një moment i vështirë, por edhe se ka forcën të bëjë atë që di më mirë: të luajë, të zbavisë, të marrë rezultate dhe të shënojë gola. Nuk është momenti të mendojmë se jemi në krizë. Është koha të mendojmë të japim më të mirën në fushë. Duke nisur nga ndeshja me Teutën, një kundërshtar që vrapon shumë dhe mjaft agresiv. Nëse nuk bëjmë edhe më tepër se rivalët në këtë drejtim, aspektet tona teknike do të veniten. Do të përballemi me armët tona, me një grup që ka më tepër dëshirë dhe është më agresivë. Ndaj Teutës do të luajmë sikur jemi përballë skuadrës më të fort në botë.

Starti jo i mirë i kampionatit nga Partizani ka ngritur pikëpyetje rreth së ardhmes së drejtuesit të stolit, që nga ana e tij nuk mendon për asgjë tjetër, përveç rikthimit të ekipit te rezultatet pozitive.

Mark Iuliano

Nuk jam parashikues të di se çfarë mund të ndodhë nëse nuk fitojmë me Teutën. Kemi luajtur katër ndeshje, disa mirë dhe disa jo më mirë, ndërsa na ka munguar goli. Kjo është gjëja më shqetësuese. Por, po punojmë mirë dhe jam i kënaqur nga impenjimi i djemve në stërvitje. Qëllimi është të përmirësojmë difektet dhe të marrim rezultate sa më shpejt që të jetë e mundur. Nuk mendoj për diçka që ende nuk ka ndodhur.

Iuliano vazhdon të besojë te titulli, vlerëson grupin e lojtarëve që ka në dispozicion, foli për Sowe, lojtar të cilin të kuqtë mund të synonin t’ia rrëmbenin Skënderbeut në merkato, ndërsa i dha edhe një mesazh lojtarëve të huaj të Partizanit.

Mark Iuliano

I kam lojtarët në garën drejt titullit, edhe pse disa prej tyre jo në formën që prisnim kur i afruam. Ky ka qenë problemi më i madh. Kam shumë lojtarë cilësorë shqiptarë dhe të huajt do të luajnë vetëm kur të bëjnë diferencën. Nëse do të ndryshojnë rregullat për të huajt do ta kem edhe më te lehtë dhe momentalisht kam vetëm gjashtë alternativa në stol. Nuk do të ndryshoja asgjë përsa i takon merkatos, madje edhe për Soëe që po paraqitet mirë te Skënderbeu. E kam drejtuar në të kaluarën dhe ai e ka të pamundur të stërvitet në fushë sintetike. Do të ndryshoja vetëm rezultatet, jo futbollistët sepse e di potencialin e tyre, edhe pse ndoshta nuk e kanë shprehur në maksimum dhe disa nuk kanë qenë në gjendje fizike optimale. Preferoj që presioni të bjerë mbi mua dhe lojtarët të jenë të qetë, sepse në këtë mënyrë do të shprehen në mënyrën më të mirë.

Trajneri i cilësoi të padrejta kritikat e opinionit sportiv ndaj sulmuesit më të paguar të ekipit, Edgar Çani, ndërsa vlerësoi punën në fushë, por edhe për aspektin psikologjik të ekipit të Xhehavir Sukajt, përcjell SuperSport.



Mark Iuliano

Për Çanin do të flas për herë të fundit. Ai është një investim i madh i klubit, që ka pasur probleme me rikuperimin. Ndoshta gabova edhe unë që e aktivizova, sepse ekipi kishte nevojë dhe lojtari dëshironte të ndihmonte shokët. Nuk është e drejtë që një lojtar që, i cili kërkon të japë kontribut edhe pse jo në gjendje optimale dhe kërkon të ndihmojë ekipin të marrë kritika. Çanin e falenderoj duke e pritur që ta aktivizoj kur të jetë në 100 për qind. Kemi qenë të pafat në sulm, ku edhe Bashrak u dëmtua sapo gjeti formën. Tani kemi Sukajn, një lojtar të veçantë, me shumë personalitet dhe që mendon ta ndihmojë skuadrën duke shënuar gola, por edhe duke punuar me moralin dhe aspektin psikologjik të shokëve. E kam gjithmonë në konsidetarë, edhe sepse së fundmi është stërvitur mjaft mirë.



Fakti që Mark Iuliano ishte në humor të mirë përpara ndeshjes me Teutën u duk qartë, ndërsa trajneri kërkon të largojë edhe syrin e keq.
Shtuar më 11/10/2017, ora 16:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori