Ja pse fjalët e Leonardos për CR7 duhen marrë seriozisht
Fjalët e drejtorit sportiv të PSG-së, Leonardo, për Cristiano Ronaldon nuk janë të rastësishme. Qëllimi i pronarëve nga Katari është i qartë: portugezi është objektiv i shkëlqyeshëm për sezonin e ardhshëm, një blerje-reklamë një vit para zhvillimit të Botërorit në vendin e Lindjes së Mesme.

Juve, tani për tani, duhet të jetë e qetë, por bardhezinjtë e dinë mirë, se, sikurse ndodhi në vitin 2018, kur CR7 vendosi të largohej nga Reali për t’u transferuar në Torino, edhe në këtë rast fjalën e fundit do ta thotë pikërisht portugezi.

"Zonja e Vjetër" synon ta respektojë kontratën, që do të skadojë në vitin 2022. Paraqitjet aktuale të CR7 tregojnë se ai është ende sulmues vendimtar, një lojtar i aftë të bëjë gjithnjë diferencën. Një kampion aspak i prekur nga vitet që ka mbi supe. Megjithatë, ekziston edhe pesha e një page shumë të lartë (31 milionë euro në sezon), pa harruar që një largim i parakohshëm do të garantonte të ardhura të konsiderueshme për klubin e Juventusit. Me pak fjalë, një vizion pragmatik i situatës nuk përjashton zhvillimet të reja në Torino.

Nga ana tjetër, PSG, duke punuar për rinovime të rëndësishme, si me Mbappénë (por jo vetëm), sheh te Cristiano jo thjesht një imazh për sheikët nga Katari në pikëpamjen e Kupës së Botës. Ekziston bindja se CR7 mund të jetë së pari njeriu i duhur për të provuar përsëri sulmin në Champions League, trofe të cilin kampionët e Francës “e përkëdhelën” gushtin e kaluar. Ronaldo shihet si i vetmi futbollist me emër i aftë të “lehtësojë” barrën e një largimi të mundshëm të Mbappèsë drejt Real Madridit.

Kjo është arsyeja pse deklaratat e Leonardos janë vetëm një hap i parë i një strategjie që do të shpaloset më qartë muajt e ardhshëm. Kontaktet e para janë bërë tashmë me menaxherin Mendes dhe indirekt me vetë lojtarin, qasje fillestare tipike për çdo marrëveshje. Kuptohet që shumëçka do të varet edhe nga rezultatet e Juves këtë sezon.
Shtuar më 11/11/2020, ora 11:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori