Ja rrugëtimi i Barçës dhe Realit në 7 javët e fundit
El Clasico në versionin thriller. Ky është filmi që do të transmetohet në 7 javët e fundit të Primera Division ku Barcelona dhe Real Madrid tashmë që i kanë konsumuar dy përballjet direkte, do ta vendosin çështjen e titullit në distancë.

Aktualisht është skuadra e Luis Enrique që ka ende në dorë fatet e kampionatit, por një tjetër fundjavë si kjo që lamë pas do ta komplikonte situatën deri në pikën kur katalanasit të mos e kenë më në këmbët e tyre topin. Barcelona mori një pesë kaluese në transfrtën e Sevillas por më shumë se kaluese është një pesë që ndez sinjalin e alarmit sepse 7 javë nga fundi diferenca shkon 2 pikë.

Në javën tjetër, Barcelona pret Valencian në "Camp Nou", ndërsa Reali, Malagan. Në letër testi duket më i kalueshëm për skuadrën e Carlo Ancelottit, por Luis Enrique dhe grupi i tij do të mbështeten te karikimi që do t’u japë stadiumi për të kaluar një skuadër që këtë sezon po bën mjaft mirë.

Java e 33 duket më e ekuilibruar me madrilenët që do të vizitojnë qytetin e Vigos, ndërsa blaugranat do të përplasin brirët me Espanyolin në "Cornelia El Prat".

Më pas parashikohen teste të lehta në shtëpi ku Reali pret Almerian ndërsa Barcelona Getafen, ndërsa në të 35-ën, "Los Blancos" synojnë të thyejnë Sevillan kur Barcelona të vizitojë Cordoban.

Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve më pas Reali ndeshet me Valencian, Barcelona me Real Sociedad ndërsa në javën e parafundit do të luhet një tjetër finale por këtë herë në "Vicente Calderon" ku katalanasit zbresin si vizitorë. Me Atleticon pothuajse me biletën e Championsit në xhep, ndeshja mund të jetë më e lehtë nga sa parashikohet, por trajneri Diego Simeone ka treguar se nuk di të bëjë kompromise me më të mëdhenjtë e La Ligas, prandaj 17 Maji konsiderohet edhe si dita më e nxehtë në Spanjë.

Po në këtë ditë madrilenët vizitojnë fushën e Espanyolit, një kundërshtar deri diku i kalueshëm pasi katalanasit e vegjël i kanë përmbushur objektivat sezonalë.

Titulli do të vendoset pikërisht në javën e parafundit, pasi në atë të fundit Reali pret Getafen ndërsa Barcelona Deportivon.

7 javë për një trofe, Barcelona dhe Real Madrid po i dhurojnë botës së futbollit një spektakël plot ngjyra. /albeu.com/
Shtuar më 12/04/2015, ora 14:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori