Ja si motivohen futbollistet e Real Madridit!
Albeu.com
Futbollistët e Real Madridit do të marrin mbi 900 mijë euro për kokë nëse dalin fitues në Ligën e Kampionëve dhe në Primera Division këtë stinor, shkroi gazeta spanjolle "AS" të enjten. Për bonuse është biseduar këtë javë mes drejtuesve të klubit dhe futbollistëve.Nga futbollistët në këtë takim ishin Raul, Jose Maria Guti, Iker Casillas e Sergio Ramos.

Presidenti i Realit, Florentino Perez me çdo kusht e kërkon së paku një trofe këtë stinor. Për këtë arsye ai ka ofruar 575 mijë euro për kokë në rast se yjet e tij e fitojnë Ligën e Kampionëve këtë stinor. Për titullin e Primera Divisionit ka ofruar nga 350 mijë euro për kokë. Reali në Ligën e Kampionëve në 1/8 e finales do të përballet me skuadrën franceze Lyon. Ndeshja e parë e kësaj sfide do të zhvillohet më 16 shkurt, ndërsa ajo e kthimit më 10 mars.

Reali prioritet këtë stinor e ka Ligën e Kampionëve, pasi finalja e kësaj gare do të mbahet në "Santiago Bernabeu" më 22 maj.

Në Primera Division skuadra madrilene gjendet në pozitën e dytë, pas 20 ndeshjeve ka mbledhur 47 pikë. Kryeson Barcelona me 52 pikë. Presidenti i Realit, Perezi para fillimit të stinorit ka shpenzuar mbi 250 milionë euro për të transferuar yje të futbollit. Ai në radhët e Realit ka sjellë yllin portugez Cristiano Ronaldo nga Manchester United për një shumë rekorde - 94 milionë euro, po ashtu ka transferuar edhe yllin brazilian Leite Kaka nga Milani për 65 milionë euro dhe të tjerë futbollistë të shtrenjtë.

Reali stinorin e kaluar mbeti pa fituar trofe. Titulli i fundit për skuadrën madrilene ishte ai i Primera Divisionit në edicionin 2008/09.
Shtuar më 05/02/2010, ora 18:50
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori