Ja të gjitha statistikat e Derbit Juventus-Inter
Derbi i Italisë mes Juventusit dhe Interiy do të jetë i 168-ti në Serinë A. Bilanci flet në favor të kampionëve të Italisë me 79 fitore, 46 për zikaltrit dhe 42 sfida kanë përfunduar në barazim.

Zikaltrit kanë qenë skuadra e parë, e cila ka mundur të trondisë “Zonjën e Vjetër” në kështjellën e saj të re, “Juventus Stadium”. Në nëntor të vitit 2012, Interi fitonte 3-1, me dopietë të Militos dhe gol të Palasios.

– Ky i vitit 2012 është suksesi i fundit i Interit në 10 sfidat e fundit që ka luajtur në Torino përballë bardhezinjve, për sa i përket kampionatit (6 humbje, 3 barazime).

– Juventusi është skuadra kundër së cilës Interi numëron numrin më të madh të humbjeve në kampionat, 70 takime, si dhe numrin më të madh të golave të pësuar, 241.

“Zonja e Vjetër” fiton në shtëpi prej 27 ndeshjesh radhazi në kampionat (rekord historik për Serinë A) dhe prej 29 ndeshjesh me radhë arrin të shënojë të paktën një gol, për një total prej 66 realizimesh.

Interi udhëton drejt Torinos pas 7 suksesesh radhazi në kampionat, por shifrën 8 (fitore radhazi) nuk e shijon që prej dhjetorit të vitit 2008, kur në pankinë ulej Jose Mourinhos.
– Që nga mbërritja e Stefano Piolit në pankinën zikaltër, Interi është skuadra që ka arritur të grumbullojë më shumë pikë se kushdo klub tjetër, 25 nga 30 të mundshmet (10 ndeshje).

– Juventusi është skuadra që ka shënuar më shumë se kushdo tjetër në çerekorëshin e parë të lojës (10 gola) dhe ka fituar 17 nga 18 ndeshjet e kampionatit në të cilat ka kaluar në avantazh. E vetmja herë që u ka rrëshqitur këmba ishte pikërisht në ndeshjen e vajtjes, kundër Interit në “San Siro”.

Nga ana tjetër, zikaltrit janë skuadra që ka shënuar më shumë në çerekorëshin e fundit të ndeshjeve (12 gola) dhe janë ata që kanë ditur të përmbysin më shumë ndeshje (katër) dhe më shumë pikë, pasi kanë kaluar në disavantazh (15 pikë).

– Gonzalo Higuain i ka shënuar katër gola në tri ndeshje që e ka pritur Interin në shtëpi, përfshi dopietën në ndeshjen e fundit që ka luajtur me Napolin.

– Mauro Ikardi stimulohet vetvetiu kur sheh përballë Juventusin. Bardhezinjtë janë viktima e tij e preferuar, pasi në 8 përballje ka festuar 7 herë.

– Bastet shohin super favorit Juventusin për fitoren e sotme. Kompanitë e basteve kuotojnë me koeficient 1.65 suksesin e kampionëve në fuqi të Serisë A, ndërsa triumfin e Interit e paguajnë 6 herë kundrejt shumës së luajtur të parave. 3.9 koeficienti i barazimit.
Shtuar më 05/02/2017, ora 14:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori