Januzaj: As Shqipëri, as Belgjikë
Pëlqej
Adnan Januzaj nuk i intereson Kombëtarja shqiptare, por as ajo e Belgjikës. Talenti shqiptar i Manchester United nuk po dëshiron t’i bashkohet asnjërës përfaqësuese, pasi synon të luaj me Anglinë. Ky lajm vjen nga faqja zyrtare në rrjetin social facbook e emisionit "Procesi Sportiv" në Top-Channel.

"Para pak ditësh përfaqësues të Federate Shqiptare të Futbollit janë takuar me Adnan Januzajn (ylli kosovar i Manchester United) për t’i paraqitur një tjetër ftesë zyrtare", thuhet në shkrimin e publikuar nga "Procesi Sportiv".

"Sipas tyre, Januzaj as nuk e dinte ku binte Shqipëria e as nuk ka me të voglin shans për të luajtur me përfaqësuesen kuqezi. Biseda kanë dështuar pasi nuk ka pasur asnjë lloj reagimi nga Adnani ashtu edhe nga babai i tij. Përgjigja e tyre ishte shkurt: Presim Anglinë", vazhdon shkrimi.

Ndërkohë, ditë më parë sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku ka konfirmuar se babai i Januzajt u ka thënë se për momentin nuk ju intereson Kombëtarja shqiptare.

Kurse, familja e Adnanit nëpërmjet përfaqësuesit të tyre, Dirk De Veiese kanë paralajmëruar se talenti nga "Old Trafford" nuk do të ngutet për të luajtur me ndonjë përfaqësuese.

"Babai i Januzajt ka qenë gjithmonë i qartë rreth së ardhmes së lojtarit në ekipin kombëtar. Ai duhet të bëhet lojtar i ekipit bazë në një ekip, e më pas të vendos se cilën përfaqësuese ta zgjedh", deklaroi përfaqësuesi i futbollistit shqiptar.

"Kanë arritur disa email-e dhe fakse nga të dyja vendet, për të kërkuar që ai ta zgjedh njërin vend. Në Shqipëri janë mbajtur emisione të ndryshme televizive për të, që janë organizuar për ta bindur Adnanin që ta zgjedh ekipin e tyre kombëtar", përfundoi De Veiese. /albeu.com/
Shtuar më 05/10/2013, ora 16:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori