Jorge Lorenzo, kampion i botës në Moto GP
Jorge Lorenzo është kampioni i ri i botës në klasin 1000 dhe 25-vjecari nga Majorka mbylli llogaritë me titullin që në garën e parafundit të sezonit. Në fillim të vitit, pas testeve të para ishin të paktë ata që besonin se piloti spanjoll do t’ia dilte mbanë, sidomos pas mënyrës mënyrës sesi shkuan gjërat në kampionatin e vitit 2011, ku Stoner jo vetëm fitoi me 90 pikë diferencë, por dominoi 10-3 me fitore zgjedhjen e parë të Yamaha-s. Tashmë hamendësimet, ankthi, emocionet apo frika marrin fund dhe Jorge shpërblehet për mundin, sakrificat, por mbi të gjitha për qëndrueshmërinë në rezultate, pasi është pikërisht kjo arsyeja kryesore që e legjitimon si kampion. Në lidhje me këtë Lorenzo madje përmirëson rekordin e Rossi-t, të vendosur një dekadë më parë, duke u klasifikuar për herë të 16 në një kampionat brenda dy vendeve të para.

Në Cmimin e Madh të Australisë gjithcka u duk kundër tij, teksa piloti spanjoll e pa veten menjëherë pas 2 pilotëve të skuadrës HRC.Stoner gaboi në start duke zbritur në vendin e tretë, ndërsa kryesimi I numrit 99 zgjati vetëm pak kthesa, pasi Pedrosa këmbëngulës, jo vetëm që kreu parakalimin por tentoi edhe të shkëputet. Në krahun tjetër 27-vjecari australian pa u preokupuar aspak vijoi garën e tij dhe këmbeu pozicionin me Lorenzo-n në pjesën e drejtë. Deri këtu gjithcka ndoshta po shkonte sipas skenarit më të mirë të mundshëm për drejtuesit e Honda-s, megjithatë askush nuk dyshoi qoftë edhe një grimë në qëllimin e Casey-t për t’u konfirmuar sërish në pistën e shtëpisë. Stoner iu ngjit nga prapa shokut të skuadrës dhe Pedrosa nën presion u përkul më shumë se cduhet në kthesën e quajtur si për ironi të fatit Honda Corner.

Pasojat tashmë dihen, Pedrosa jashtë, Lorenzo që lajmërohet nga skuadra e tij për atë cfarë ndodhi dhe restoja është histori. Stoner ashtu sic pritej dominoi nga starti në finish gjithë fundjavën duke mbyllur madje garën me plot 9” avantazh ndaj kampionit të ri të botës. Ishte shanci I tij I fundit për të triumfuar në këtë edicion dhe Casey ia doli të mbajë premtimin duke koleksionuar fitoren e 6 radhazi në Phillip Island, e njëkohësisht suksesin e 38 në karrierë, në klasin mbretëror, falë të cilit Stoner ngjitet në vendin e 4 të renditjes së pilotëve më të mirë të të gjitha kohërave, për nga numri I fitoreve në këtë kategori. Një fitore kuron cdo plagë dhe shëron gjithcka, por sigurisht fjalët e 27-vjecarit nga New South Wales se ndoshta një ditë mund të ndërrojë mendje, mbushin me shpresë dhe bëjnë të lumtur cdo fans të Moto Gp. /albeu.com/
Shtuar më 28/10/2012, ora 11:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori