Juve-Inter, shkëmbim Vuçiniç-Ranocchia?
Mirko Vuçiniç te Inter, në këmbim të Andrea Ranocchias te Juventus. Mund të jetë ky skenari më interesant i merkatos së janarit në Serie A, me bardhezinjtë që janë vënë në kërkim të një mbrojtësi, duke parë problemet e shpeshta me skualifikimet e lojtarëve të dhunshëm si Chiellini, Bonucci e Ogbonna, por në të njëjtën kohë edhe dëmtimet e shpeshta së fundmi me të cilat po përballet Andrea Barzagli. Natyrisht që trajneri Antonio Conte nuk është aspak i kënaqur nga 10 golat e pësuar në 12 ndeshjet e para të kampionatit, ndaj kërkon një afrim të rëndësishëm për të blinduar këtë repart, i cili do kishte kështu më shumë alternativa cilësore.

Por, nëse tekniku bardhezi këmbëngul prej dy vitesh për të sjellë në Torino 25-vjeçarin e Interit, vjen edhe si rrjedhojë e faktit se ai e njeh shumë mirë lojtarin, duke qenë ai që i dha mundësinë të debutonte që në adoleshencë në radhët e skuadrës së Barit. Duke parë edhe rritjen e tij graduale në një klub të madh si zikaltrit, ai e takoi Andrea Ranocchian në mënyrë sekrete në një nga ambientet e “Juventus Stadium”, me rastin e eliminatores mes Italisë e Çekisë dhe mbase që në këtë moment mund të jenë ngritur bazat e një marrëveshjeje të mundshme mes palëve.

Nga ana tjetër, vetë interisti i është mohuar kërkesa për një zgjatje të kontratës (skadenca 2015) dhe një rritje e rrogës (2.1 milionë euro aktualisht), prandaj kjo është një arsye më shumë për ta lënë sa më shpejt Milanon. /albeu.com/


Shtuar më 18/11/2013, ora 16:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori