Juve rekordesh, Romës i duhet kohë për ta arritur
Torino-Roma është ndeshja që e kujton mirë Rudi Garcia, pasi ajo ishte sfida e parë që verdhekuqtë nuk fituan pas 10 fitoreve në 10 ndeshjet e para. Sfida e “Olimpicos” së Torinos ishte plotë gabime arbitrale, pasi në momentin golit të granatave, vendasit shkaktuan faull ndaj Benatia, por ky nuk ishte gabimi i vetëm i arbitrave pasi Pjanic iu mohua një penallti e pastër. Megjithatë trajneri i Romës nuk dëshiron të përqëndrohet te gabimet arbitrale pasi për të këto janë gjëra që mund të ndodhin. Vëmendja e Garcias është te takimi i fazës së dytë ndaj Torinos që do të luhet këtë të martë në “Olimpico” të Romës.

“Në takimin e parë e rëndësishme për ne ishte të luanim mirë. Megjithatë ajo ndeshje tashmë është një kujtim i largët. Vëmendja jonë është te ndeshja e kësaj të marte pasi duam të ecim përpara. Dhe të ecurit përpara për Romën do të thotë të fitojë dhe të mbajë vendin e dytë në klasifikim. Është diçka e mirë për momentin që kemi 6 pikë më shumë se Napoli por na duhet të fitojmë përballë Torinos për të mbajtur vendin e dytë.”

Pyetjes së gazetarëve se çfarë ka më shumë Juventusi se Roma përveç 14 pikëve në klasifikim, Garcia iu përgjigj.

“Ata po zhvillojnë një kampionat rekordesh, ashtu si ne. Romës i duhet vetëm të fitojë, dhe për të folur për sezonet e ardhshme se çfarë i duhet Romës për të arritur Juventusin është pak si shpejtë. Ka një fakt, klasifikimi është ai që vlen më shumë, momentalisht skuadra ime ka 64 pikë dhe ajo që unë dua është që pas ndeshjes me Torinon të ketë 67.”

Përsa i përket të ardhmes së tij trajneri francez theksoi se për momentin nuk ka biseduar me presidentin Pallotta për këtë temë.

“Momentalisht nuk kam diskutuar me presidentin për të ardhmen. Vëmendja ime është e gjitha te ndeshja me Torinon, pasi kjo është gjëja më rëndësishme aktualisht. Për rinovimin do të flasim, jo nesër por së shpejti.”
Shtuar më 24/03/2014, ora 18:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori