Juventinët në kor: Askush nuk mund të na ndalë
Juventusi është kthyer bindshëm në garë për titullin, edhe pse duhet pranuar që kurrë nuk ka qenë jashtë plotësisht. Fitorja 3-0 ndaj Napolit në “Juventus Stadium” i ka çuar bardhezinjtë vetëm 2 pikë larg Milanit kryesues. “Zonja e Vjetër” po kalon një moment të shkëlqyer dhe lojtarët e Kontes janë të bindur se i kanë të gjitha mundësitë për të fituar titullin këtë sezon. Alessandro Matri, Claudio Markisio dhe Fabio Quagliarella janë shprehur në kor se nuk do të dorëzohen deri në fund.

Nëpërmjet websit-it të tij zyrtar në internet, Alessandro Matri, sulmuesi i Juventusit, i cili ka rinovuar kontratën me bardhezinjtë së bashku me shokun e skuadrës, Leonardo Bonucci, deri më 30 qershor 2017, është shprehur entuziast për të ardhmen pas suksesit me Napolin: “E nisëm takimin me dëshirën për të fituar, duke krijuar një sërë rastesh për gol që nga fillimi. Në pjesën e dytë rezultati na shpërbleu për gjithçka dhamë në fushën e gjelbër. Mendoj se tani jemi më pranë Milanit dhe se kemi mundësi që ta fitojmë titullin. Nuk do të dorëzohemi për asnjë moment”.

Mesfushori i bardhezinjëve, Claudio Markisio, nuk e ka fshehur kënaqësinë pas fitores me napolitanët dhe sidomos për shkurtimin e distancës me kryesuesit e Milan në 2 pikë, nga 5 që ishin para sfidës. “Çfarë fitoreje kemi arritur! E merituam plotësisht suksesin, edhe pse duhet ta pranojmë që edhe Napoli luajti mjaft mirë, – ka theksuar Markisio. – Patëm raste për të shënuar, tri nga të cilat i finalizuam, pastaj mbyllëm hapësirat dhe ruajtëm paprekshmërinë e portës sonë. Titulli? Pse jo, i kemi të gjitha mundësitë”.

Goli që e ka ëndërruar gjatë, më në fund erdhi. Sulmuesi juventin, Fabio Quagliarella, u hakmor në sfidën ndaj Napolit, e megjithatë nuk festoi. “Unë me tifozët e Napolit kam pasur përherë një marrëdhënie shumë të mirë. Prandaj, vetëm për respekt ndaj tyre nuk festova. Dhamë një përgjigje të madhe, sepse nuk është kurrë e lehtë që të zbresësh në fushë duke e ditur se je i detyruar të fitosh me patjetër. Tani, në sulm drejt titullit!”, deklaroi sulmuesi napolitan i Juventus. /albeu.com/
Shtuar më 03/04/2012, ora 11:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori