Juventus kerkon Behramin
Albeu.com
Juventus e ka zgjedhur përforcimin e krahut të djathtë. Sipas uebfaqes gjermane 4-4-2.com, njeriu i kërkuar nga trajneri Ciro Ferrara për afatin kalimtar të janarit është Valon Behrami, i cili aktualisht luan tek West Ham United.
Futbollisti kosovar me nënshtetësi zvicerane po kthehet dalë ngadalë në formën e tij më të mirë, pas lëndimit që kishte pësuar gjashtë muaj më parë, në një ndeshje kampionale në Premierligë.

Sipas kësaj uebfaqe, Bianconerët nuk janë të kënaqur me shërbimet e Jonathan Zebina dhe Zdenek Grygera, që nuk janë në formën e tyre më të mirë. Andaj, emri i Behramit i është bashkuar brazilianit Rafinha të Schalkes dhe italianit Marco Motta të Romës, të cilët megjithatë mbeten ende objektiva të “Zonjës së Vjetër”.

Drejtori sportiv i Juventusit, Alessio Secco, duket se po e përgatitë ofertën që do t’ia shpalosë klubit londinez gjatë muajit janar.

Kontrata që e lidh 24 vjeçarin Behrami me West Ham United vlen deri në vitin 2013, por ajo mund të prishet kollaj, nëse Juventus ofron para aq sa për ta bindur klubin anglez që të heq dorë nga ish futbollisti i Lazios. Para se të shkonte tek West Ham United, Behrami ishte shënjestër e Juventus, i cili assesi të rehatohet me një mbrojtës të krahut të djathtë.

Valon Behrami ishte transferuar tek West Ham United gjatë verës së vitit të kaluar nga Lazio, me të cilën i prishi punët pasi nuk arriti marrëveshje për ta vazhduar kontratën. Ai e nisi mirë sezonin e kaluar, por u desh të pushonte gjashtë muaj, për shkak të një lëndimi serioz në gju. Tash, futbollisti është rikthyer në ekipin e parë të West Ham, ku thotë se ndihet mirë dhe se dëshiron të qëndrojë gjatë. Mirëpo, në futboll asgjë nuk është e sigurt.
Shtuar më 22/10/2009, ora 21:30
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori