"Juventus Stadium", "bunkeri" i rekordeve
Për bardhezinjtë është parajsa sportive dhe financiare prej tri sezonesh tashmë, ndërsa sivjet për rivalët e kampionëve të Italisë, "Juventus Stadium" është ferri ku gjithë të tjerët që shkelin digjen. Në 11 ndeshje të luajtura në shtëpi, Juventusi nuk ka njohur asnjë rezultat tjetër përveç fitores, 33 pikë nga 33 të mundshme, një fortesë që është krisur disi vetëm në Champions League. Megjithatë, duke qenë se historia europiane e kompeticionit më të rëndësishëm për klube tashmë është një çështje që do analizohet në pritje të sezonit të ardhshëm, ndonëse aventura në Ligën e Europës pritet ende të fillojë, skuadra e Antonio Contes po i konsolidon pozitat e titullit të tretë radhazi kampion pikërisht në "bunkerin" e saj torinez, ku askush nuk ka dalë i gjallë deri tani.

Për më tepër, "Juventus Stadium" ofron edhe një ironi sportive, duke parë që rivalet direkte sivjet janë likuiduar me nga 3 gola secila, 3-2 Milanin, 3-0 Napolin, 3-0 Romën dhe së fundmi 3-1 Interin. Për të mos thënë që ka pasur edhe nga ato si Lacio që kanë pësuar 4 gola.

Torino në shënjestër Për sa i përket kësaj serie pozitive në shtëpi, më mirë sesa Juventusi ka bërë vetëm Torino, fituesja e titullit në sezonin 1975-1976, e cila shënoi 14 suksese radhazi. Prandaj, për të thyer edhe këtë rekord, Konte dhe të tijve u mjafton që të mundin Kievon, Torinon dhe Fiorentinën në tri sfidat e ardhshme, në “Juventus Stadium”.

Rekord golash Por Juventusi di të përmirësojë edhe vetveten, teksa Vidal me shokë barazojnë rekordin e tyre të sezonit 1957-1958, duke shënuar të paktën një gol prej 35 ndeshjesh radhazi në shtëpi, në pritje që kjo arritje të zgjerohet edhe më shumë, duke i shënuar të paktën njëherë Veronës në sfidën e ardhshme. Hera e fundit që bardhezinjtë nuk arrinin ta godisnin kundërshtarin ishte 16 shkurti i vitit 2013, kur Roma mundte 1-0 Juven. Duke qëndruar te golat, në këto 22 javë kampionat kanë shënuar 54 gola, ndërsa Arturo Vidal është bomberi i ekipit, edhe pse mesfushor, me 11 gola në Serie A (sa Tevezi), plus 5 të tjerë në Champions.

Rekord pikësh Në udhëtimin e sivjetshëm thuajse perfekt me 19 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje, skuadra e Kontes numëron 59 pikë të grumbulluara nga 66 në total, duke barazuar kështu Juventusin e Fabio Capellos në sezonin 2005- 2006, por duke bërë edhe më mirë sesa Interi i Roberto Mancinit në sezonin 2006-2007, që në fund e mbylli kampionatin me një rekord historik pikësh në Itali, plot 97 të grumbulluara në 38 takime. Sidoqoftë, edhe kjo sfidë e radhës duket më se e arritshme nga "Zonja e Vjetër", e cila nëse mban këtë ritëm mund të kalojë edhe murin e 100 pikëve, duke llogaritur që deri në fund të kampionatit, në lojë janë ende 48 pikë. /albeu.com/

Shtuar më 04/02/2014, ora 15:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori