Juventus vrapon drejt rekordeve
Juventusi nuk është mundur që prej 36 ndeshjesh. Dhe si rrjedhojë kërkojnë ta mbyllin këtë sezon pa asnjë humbje, duke thyer kështu rekordet e Milanit dhe Interit. 32 janë rezultatet pozitive në po aq ndeshje në kampionat të armatës bardhezi (18 fitore dhe 14 barazime), si dhe 4 ndeshje të fituara në Kupën e Italisë, por ky rekord njolloset vetëm nga ajo humbje në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë kundër Milanit, e cila nuk bënë pjesë në këtë statistikë.

Por për ta mbyllur këtë sezon pa asnjë njollë, Juventusi ka si objektiv t’i fitojë të gjashta ndeshjet në kampionat, si dhe finalen e Kupës së Italisë kundër Napolit.

Shifra marramendëse - Asnjë skuadër e Juventusit ndër vite nuk ka mbajtur kaq gjatë rekordin e pathyeshmërisë sa ajo e trajnerit Antonio Konte. Rekordin më të mirë juventinët në historinë e tyre e kanë pasur ndërmjet sezonit 2005-2006 dhe atij 2006-2007, ku nuk i mundi dot askush për 28 ndeshje. Bardhezinjtë korrën vetëm rezultate pozitive asaj kohe, që prej 1 prillit 2006 deri më 22 dhjetor 2006. Por pathyeshmëria tani vazhdon që prej plot 36 ndeshjesh, të cilat juventinët shpresojnë t’i mbajnë sa më gjatë.

Rekordet e të shkuarës - Rekordi i pathyeshmërisë në ndeshje zyrtare në kampionat i përket Interit, zikaltrit e vendosën këtë rekord gjatë sezonit 2004-2005, ku nuk u mundën për 38 ndeshje, përpara humbjes me Milanin më 27 shkurt 2005.

Ndërkohë Milani gjatë sezonit 1991-1992 është ndalur në kuotën e 35 ndeshjeve, duke u mundur pikërisht nga Juventusi më 14 prill 1992.

Interi mbetet kështu skuadra e vetme në kampionatin italian që mban rekordin e pathyeshmërisë në ndeshje zyrtare. Zikaltrit gjatë sezonit 2006-2007 nuk i mundi dot askush për 39 ndeshje. Por kulmin e tyre zikaltrit e arritën gjatë sezoneve 2003-2004 dhe 2004- 2005, ku e ruajtën pathyeshmërinë e tyre për 40 ndeshje (duke llogaritur këtu edhe ndeshjet jo zyrtare). Pra me pak fjalë, Juventusit tani i duhen edhe 4 ndeshje pa pësuar humbje për të thyer rekordin e Interit.

Rekordi i Milanit - Rekordi absolut i pathyeshmërisë (por jo që në fillim të sezonit, si juventinët dhe zikaltrit) i përket Milanit të Kapelos. Kuqezinjtë nuk pësuan një humbje që prej 42 ndeshjesh, pra që prej 18 prillit 1992 deri më 7 mars 1993. Kuqezinjtë u mundën më pas më 10 mars 1993 nga Roma, me rezultatin 2- 0. Milani ka nga ana e vet edhe rekordin e 58 rezultateve pozitive në kampionat që prej vitit 1991 deri më vitin 1993. /albeu.com/
Shtuar më 20/04/2012, ora 18:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori