Juventusi i shqetësuar, Ronaldo i dëmtuar dhe Dybala me probleme shëndetësore
Juventus nuk po bën aspak mirë në kampionat dhe dje në mesditë, kur pritej të bënte kthesën në një transfertë të vështirë ndaj Lazios, pa t’i rrëshqiste fitorja nga duart në sekondat e fundit të kohës shtesë.

Megjithatë tani kampionati ndërpritet për dy javë dhe trajneri Andrea Pirlo jo vetëm që do të ketë kohë për të qartësuar idetë e tij për lojën, por edhe të rikuperojë plotësisht futbollistët kryesorë të skuadrës si Ronaldo e Dybala.

Sulmuesi portugez luajti për 76 minuta ndaj Lazios dhe shënoi golin e avantazhit në pjesën e parë, ndërsa më pas pati një përplasje këmbë më këmbë me fantazistin spanjoll të kryeqytetasve, Luis Alberto dhe la fushën e lojës.

"Ndjeva një goditje në kavilje", u dëgjua t’u thoshte Ronaldo mjekëve dhe Pirlos në momentin e zëvendësimit, ndërsa gjatë ditës së sotme pritet që portugezi t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore për të parë shkallën e dëmtimit dhe përcaktuar kohën e rikuperimit.

Nga ana tjetër edhe Paulo Dybala nuk po kalon një moment të mirë, pasi dje erdhi nga stoli dhe luajti pak minuta, por pa lënë gjurmë, ndërsa pak më vonë ishte Federata Argjentinase që zbuloi se numri 10 i bardhezinjve ka probleme gjenito-urinare.

Pikërisht për këtë arsye Dybala nuk do të udhëtojë drejt vendlindjes së tij për t’u vënë në dispozicion të kombëtares, por do ta shfrytëzojë ndërprerjen për t’u çlodhur dhe kuruar, pasi që të rikthehet te fitoret e suksesi, Juventusi ka nevojë që si ai, ashtu edhe Ronaldo të jenë në formë shumë të mirë.
Shtuar më 09/11/2020, ora 09:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori