Juventusi i ul rrogën dhe e pret te ekipi i parë sulmuesin kuqezi
Juventusi ka qenë skuadra e parë që ka dhënë shembullin e solidaritetit për të dalë nga kriza, me lojtarët që kanë pranuar që të ulin rrogat e tyre me 30%. Por klubi bardhezi kërkon që të jetë shembull kudo, e si rrjedhojë, pritet që t’i ulë rrogën edhe sulmuesit të Shqipërisë, Xhakomo Vrioni.

Prej disa ditësh, klubi ka nisur bisedimet për të ulur rrogën edhe të skuadrës e stafit të U23, U19 dhe ekipit të femrave. Sigurisht, shifrat janë shumë më modeste se sa ekipi i parë nga i cili u kursyen dhjetëra miliona euro, por për Juventusin më rëndësi kishte fakti se dhanë shembullin konkret se si duhet vepruar në një periudhë emergjence.

Ndaj janë zhvilluar bsiedime konkrete që edhe për lojtarët e këtyre ekipeve të ulen rrogat, duke arritur parimisht në akordin që do të anullohen pagesat e muajve prill, maj e qershor. Për këta muaj mendohet se aktiviteti nuk do të vazhdojë në normalitet e gumbullimet do të jenë të pjesshme, për të mos thënë që rrezikohet që ekipet e mësipërme të mos luajnë më në këtë sezon si pasojë e anullimit të kampionateve.

Kështu edhe Vrioni, i cili iu bashkua në janar U23 të Juventusit, do të shohë shkurtimin e të ardhurave të tij nga klubi bardhezi. Por ai pritet që në rast se vendoset anullimi i Serisë C, të kalojë në dispozicion të ekipit të parë për pjesën e mbetur të sezonit.
Shtuar më 15/04/2020, ora 23:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori