Juventusi mposht SPAL, Ronaldo vazhdon ecurinë pozitive (VIDEO)
Cristiano Ronaldo arriti ta mbyllë ndeshjen e 1000-të në karrierë ashtu siç kishte dëshiruar. Ai shënoi gol për t’ia dhënë epërsinë Juventusit në fitoren 2:1 kundër Spalit, duke ia mundësuar bardhezinjve ta mbajnë kreun edhe për xhiron e 25-të të Serisë A.

Kjo ndeshje pati rëndësi të madhe për yllin e skuadrës Cristiano Ronaldos, i cili e arriti shifrën prej 1000 ndeshjeve të zhvilluara. Portugezi kontribuoi në këtë ndeshje me një gol të shënuar në minutën e 39-të.

Aaron Ramsey shënoi për ta dyfishuar epërsinë e Juventusit në këtë ndeshje në minutën e 60-të, ndërsa dhjetë minuta më vonë Spali arriti ta zvogëlojë këtë epërsi përmes një goli të shënuar nga Andrea Petagna nga pika e penalltisë.

Me këtë fitore, Juventusi e mban kreun e tabelës së Serisë A, me 60 pikë të grumbulluara nga 25 ndeshjet e para, ndërsa Spali i Etrit Berishës mbetet edhe më tutje në fund të tabelës, me 15 pikë.
Shtuar më 22/02/2020, ora 20:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori