Juventusi pa sulmues "pykë", Pirlo rrit presionin te drejtuesit
Gonzalo Higuain ka prishur kontratën me Juventusin dhe ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t’iu bashkuar Inter Miamit, ndërsa në klubin bardhezi mbeten ende në pritje të një sulmuesi të mirëfilltë, që të udhëheqë repartin e avancuar.

Ndonëse emrat e lakuar janë të Shumtë, Andrea Pirlo nuk e ka ende në dispozicion futbollistin që do të luajë në majë të sulmit dhe sipas mediave italiane, u ka bërë presion drejtuesve që të sjellin dikë sa më shpejt, pasi jemi vetëm pak ditë larg startit të kampionatit.

Synimi kryesor i bardhezinjve duket se është rikthimi i spanjollit Alvaro Morata, i cili njeh mirë ambientin pasi ka veshur fanellën e Juves edhe më herët, por gjithashtu është rritur duke punuar në krah të Cristiano Ronaldos, kur të dy ishin te Reali i Madridit.

Për sulmuesin spanjoll Atletico e Madridit vijon të bëjë rezistencë dhe të kërkojë të paktën 60 milionë euro, ndërsa një tjetër emër në listën e Paraticit është edhe ai i uruguaianit Luis Suarez, por problem për këtë të fundit është fakti që nuk ka një pasaportë europiane.

Aktualisht te Juventusi i kanë të zënë të dy vendet e lejuara për futbollistët ekstra-komunitarë dhe Suarez duhet të pajiset me pasaportë italiane ose spanjolle para se të transferohet në Torino për t’u vënë nën urdhrat e Pirlos.

Është ftohur ndjeshëm ndërkohë pista Edin Dzeko, pasi ky i fundit duket i joshur të vijojë qëndrimin te Roma, ku jeton prej vitesh dhe mban edhe shiritin e kapitenit. E vështirë është edhe arritja te polaku Arkadiuz Milik, pasi marrëdhëniet mes bardhezinjve dhe napolitanëve janë thuajse inekzistente dhe De Laurentiis nuk pranon të negociojë çmimin prej 40 milionë eurosh.

Gjithsesi kjo situatë ka shqetësuar jo pak Andrea Pirlon, që vetëm 8 ditë para ndeshjes së parë në kampionat e sheh skuadrën pa një sulmues të mirëfilltë dhe do të duhet të improvizojë patjetër diçka, nëse drejtuesit nuk lëvizin gjatë javës së ardhshme.
Shtuar më 12/09/2020, ora 11:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori