Juventusi sakrifikon yllin brazilian për talentin e Seria A
Sezoni që po mbyllet nuk ka qenë shumë i mirë për mesfushorin brazilian Douglas Costa, që nuk dha atë që pritej me bardhezinjtë. Për këtë arsye, kampionët e Italisë po mendojnë ta nxjerrin në shitje 28-vjeçarin. Dhe nga kjo shitje pritet që Juventusi të arkëtojë 60 milionë euro, shumë e cila do të përdoret më pas në merkato.

Sipas "calciomercato", Costa do të jetë i sakrifikuari për të sjellë në Torino sulmuesin e Fiorentina, Federico Chiesa. Skuadra "vjollcë" kërkon rreth 100 milionë euro, por ky transferim mund të realizohet edhe për më pak parà. Për këtë arsye, bardhezinjtë mendojnë të shesin Douglas Costa dhe më pas të nisin sulmin për Chiesa.

Për mesfushorin brazilian ka mjaft kërkesa, kryesisht nga Premier League, por edhe PSG në Francë është interesuar për anësorin e Juves. Kampionët e Italisë nuk do të pranojnë ulje çmimi apo ndërrim "kokë më kokë", pasi duan parà "cash" për t’i përdorur për të sjellë Federico Chiesa, talentin e ri të Serisë A. /albeu.com/
Shtuar më 22/04/2019, ora 21:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori