Kabashi habit të gjithë: Nuk e kam refuzuar Shqipërinë
Elvis Kabashi ka provuar të veshë fanellat e të dyja kombëtareve. Mesfushori i talentuar pas një eksperiencë me U-19 të Shqipërisë, refuzoi ftesat kuqezi pasi mendonte se ishte gati për Italinë.

Futbollisti asokohe ishte pjesë e akademisë së Juventusit dhe arriti deri aty sa të ulej disa herë në stol në ndeshjet e Serisë A përkrah yjeve të kësaj skuadre dhe të merrte një ftesë për një miqësore nga përfaqësuesja italiane e Serisë B.

Në një intervistë për mediat italiane, Kabashi pretendon se nuk është e vërtetë që i ka dhënë “jo’ Shqipërisë.

“Unë kam luajtur me përfaqësuesen italiane të Serisë B, kam bërë Europianin e U-19 me Shqipërinë dhe atje kishim pak fërkime në këto vitet e fundit. Gazetat kanë shkruar se nuk desha të shkoja me ta, por nuk është e vërtetë pasi isha dëmtuar te Juventusi dhe dëshiroja të riaftësohesha.

U telefonova dhe u thashë se dëshiroja të qëndroja në Torino për të rikuperuar sa më mirë me stafin bardhezi, ishte më mirë për mua dhe për ata”, tregoi versionin e ri të ngjarjeve futbollisti i cili pranoi se nuk i kujtohej se pse 5 vite më parë Juventusi vendosi ta merrte nga akademia e Empolit.

Por të paktën tani ai është i ndërgjegjshëm se zgjedhjet nuk janë më në dorën e tij, duke parë rrjedhën që ka marrë karriera e 23-vjeçarit, shkruan Panorama Sport.

“Babai im është lindur dhe rritur atje, zemra ime është shqiptare por ajo që ka rëndësi është të tregoj në fushë se e meritoj një thirrje të mundshme. Askush nuk do të të thërrasë nëse nuk paraqitesh mirë aty”, thotë ai, me sa duket duke ëndërruar një ftesë kuqezi.

Shtuar më 22/03/2017, ora 16:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori