Kaka: Pas Torinos mendova tërheqjen
Që kur është rikthyer te Milan, Ricardo Kakà ka rigjetur formën e dikurshme, ndërkohë që ka shënuar 6 gola mes kampionatit dhe Champions League. Në debutimin e dytë të tij te Milan, në shtëpinë e Torino-s, pësoi sërish një dëmtim, i cili këtë herë e bëri të mendonte seriozisht për tërheqjen nga futbolli.

"Në atë moment, isha në dilemë nëse kisha ende dëshirë të luaja futboll. Për një moment thashë, mjaft me kaq!". Por, më pas e keqja kaloi dhe: "Tashmë ndihem mirë dhe falë Milanit kam rigjetur kënaqësinë e të luajturit futboll".

Lëndimi në muskulin e këmbës së majtë bëri që të mbetej jashtë fushave të blerta për 1 muaj e gjysmë, duke hequr dorë edhe nga paga e tij, deri sa të rikuperohej tërësisht.

“Fola me Galliani-n dhe i thash tekstualisht: Bisedova me doktorin, nuk e di se në ç’gjendje do të kthehem, por nuk dua ta marr pagën përgjatë kësaj kohe. Nuk është ky synimi im”.

Një periudhë e vështirë, siç ka pranuar edhe vet Kakà për "Rede Globo". "Kisha parashikuar gjithë pritshmëritë për rikthimin tim, por që me ndeshjen e parë u dëmtova. Mendova ‘mjaft’, nuk kisha më dëshirë për të luajtur futboll në atë moment".

Më pas erdhi rikthimi te goli me fanellën kuqezi kundër Lazio-s dhe ‘rilindja’: "Ky rikthim ka qenë i rëndësishëm, pasi ka bërë diferencën për sa i përket performancave të mia".

Rendimenti i brazilianit është ndjeshëm shumë i kundërt me atë të dhënë me fanellën e Real Madrid. "Kam mësuar mbi rëndësinë e faktorit psikologjik. Kur je i lumtur, rendimenti është shumë herë më i mirë, je më i lirshëm. Me Milanin kam rigjetur kënaqësinë dhe alegrinë e të luajturit futboll dhe tashmë jam vetëm në 75-80% të formës". /albeu.com/
Shtuar më 20/01/2014, ora 10:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori