Kalendari "nderon" Milanin, por Europa duket larg
Fitorja kundër Fiorentinës ka shërbyer për t’i dhënë më shumë oksigjen Milanit. Skuadra e Clarence Seedorf, veç lojës së bukur, ka marrë dhe rezultatin pozitiv, që është thelbësor për t’u shpëtuar grackave të krizës. Morali i ekipit vazhdon të rritet dhe ky është një aspekt tepër i rëndësishëm për të bërë një mbyllje dinjitoze të sezonit. Nga ana tjetër, është dhe kalendari, i cili i vjen në ndihmë ekipit kuqezi për të përgatitur më së miri sfidat e fundit të kampionatit.

Pas dy transfertave të "ferrit" kundër Lazios dhe Fiorentinës, ndeshjet e ardhshme janë tepër favorizuese për kuqezinjtë. Në takimet brenda fushe, "Djalli" e ka rrugën e hapur për të grumbulluar sa më shumë pikë. Sfida e radhës është ajo kundër Chievos (që luhet nesër në orën 20:45), ndërsa tri sfidat e fundit Milani do t’i luajë në shtëpi kundër Catanias, Livornos dhe Sassuolos, të cilat lundrojnë në ujërat e turbullta të fundit të tabelës.

Përsa u përket ndeshjeve që do të luhen në transfertë, pa dyshim që sfida më e komplikuar do të jetë ajo përballë Romës, katër javë para fundit të kampionatit. Sakaq, brenda dy muajve të ardhshëm, formacioni i Seedorf do të luajë derbin kundër Interit, si dhe transfertën delikate të Bergamos, kundër Atalantas, e cila është skuadra surprizë e këtij sezoni.

Me pak fjalë, kalendari është tepër favorizues për kuqezinjtë, të cilët do të provojnë të mbyllin në mënyrë dinjtoze një kampionat shkatërrimtar deri në këtë pikë të sezonit. Por, duket e vështirë që Milani të arrijë të fitojë një biletë për në Europa League për sezonin e ardhshëm, në sprintin final të kampionatit, kjo pasi "Djalli" është në kuotën e 39 pikëve, tetë më pak se Parma e vendit të gjashtë, e cila ka një takim më pak. /albeu.com/


Shtuar më 28/03/2014, ora 16:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori