Kam fituar katër Champions, këta asnjë: Fjalët që e kthyen CR7 në armikun e Atletico Madrid
Ka fare pak rivalitete kaq të mëdha midis një lojtari kundërshtar e një klubi, sa Cristiano Ronaldo me Atletico Madrid.

Pasi kaloi nëntë vite te rivalët e qytetit, Real Madridi, një “konflikt” i tillë është i kuptueshëm. Ronaldo shënoi 22 gola kundër “Rojiblancos” me Realin, njëri prej tyre në triumfin e fundit të Ligës së Kampionëve, në vitin 2014, ndërsa la shenjën e tij kundër Atletico Madrid, dy vite më vonë.

Por, përkundër suksesit të madh kundër të besuarve të Diego Simeone, transferimi te Juventusi e zhvendosi antagonizmin e 34-vjeçarit me “kushërinjtë” e Realit në një nivel tjetër.

Dy palët u takuan në Ligën e Kampionëve të sezonit të kaluar, ndërsa kanë rënë në një grup edhe sezonin aktual. Atletico Madrid fitoi 2-0 në ndeshjen e parë (1/16 finale).

Kur Jose Gimenez shënoi golin e dytë të asaj mbrëmjeje, trajneri Simeone nuk mundi ta mbante dot veten, duke festuar me duar te organet gjenitale:

“Doja të thoja se kemi “tope”, shumë “tope”. Unë e bëra këtë lloj festimi edhe si lojtar, në ndeshjen Lazio-Bologna, për t’iu treguar tifozëve tanë se kemi “tope””, tha ai.

Ndërkohë, përgjigjja e Ronaldos për rezultatin ishte shumë më ndryshe.

“Unë kam fituar pesë Liga Kampionesh, këta janë zero”, – deklaroi portugezi në zonën e përzier të stadiumit, pasi iu kishte treguar tifozëve vendas pesë gishtat, gjatë lojës.

Për çdo lojtar tjetër do të kishte qenë një veprim i çuditshëm arrogance, pas një humbjeje potenciale shkatërruese dhe performancës së dobët.

Nga Ronaldo, sidoqoftë, ishte një paralajmërim.

Në sfidën e kthimit, sulmuesi e mbajti fjalimin e tij të madh reagues me topin në këmbë, duke shënuar një “hat-trick”, ndërsa Juventusi përmbysi disavantazhin dhe u kualifikua më tej.

Pas golit të tretë, CR7 bëri të njëjtin veprim si Simeone, duke vendosur duart tek organet gjenitale, si për të thënë se edhe ai ka “tope”.

“Duhej të ishte një natë me të vërtetë e veçantë dhe ishte e tillë, – tha Ronaldo. – Kjo është arsyeja pse Juve më bleu”.

Ishte një ndjenjë e njohur për Atletico Madrid dhe tifozët e tij, duke e parë yllin portugez të kishte sukses në kurriz të tyre.

Përpara këtij “heroizmi”, ylli portugez e kishte eliminuar vetë Atletico Madrid në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve 2017, duke shënuar një “hat-trick” në “Bernabeu”, ndërsa dha asisitin e golit të fitores së minutës së 88-të në çerekfinalen e vitit 2015.

Ronaldo ka shënuar 25 gola dhe ka dhënë 8 asiste në sfidat ndaj “Rojiblancos”.

Të mërkurën vjen përplasja e radhës, Atletico Madrid-Juventus.

Një tjetër sfidë e ethshme, që premton të jetë tejet emocionuese dhe vazhdim i kësaj “drame”…/Telesport/
Shtuar më 16/09/2019, ora 11:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori