Kamberi tregon arsyen pse zgjodhi Shqipërinë dhe jo Kosovën
Gjatë ditës së sotme ka dalë në konferencë për shtyp futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, Florian Kamberi, i cili ka folur për grumbullimin në prag të dy sfidave kualifikuese, që Shqipëria do të zhvillojë më datë 14 nëntor ndaj Andorrës dhe më 17 nëntor ndaj Francës.

Florian Kamberi në fjalën e tij theksoi: "Çunat më kanë pritur shumë mirë dhe seancat stërvitore kanë shkuar vërtetë mirë. Kuptohem mirë me të gjithë dhe më kanë qëndruar pranë e mbajtur afër."

Kamberi është shprehur se e ka pasur të lehtë që të zgjedh Kombëtaren e Shqipërisë kundrejt asaj të Kosovës e Zvicrës, pasi ata kanë qenë më të interesuar për të.

"Kam pasur kontakte me Shqipërinë, Kosovën dhe Zvicrën, por kuqezinjtë janë treguar më të interesuar dhe e kam pasur të lehtë që të zgjedh ata".

"Unë e pata sqaruar që në fillim, se pikë së pari dua që të stabilizohem në një klub dhe pastaj do zgjedh. Pasi kalova një vit te Hibernian, pashë që Shqipëria u interesua më shumë dhe vendosa të zgjedh kuqezinjtë. Jam gati dhe në formë mjaft të mirë. Shpresoj të luaj në këto takime. Me dokumentet merren njerëz të tjerë, unë përgjigjem vetëm në fushë dhe jam në formë. Nuk kam folur akoma me Rejën dhe do ta bëj këtë më vonë, por ai luan me 3-5-2 dhe unë ndihem më mirë me skemën me dy sulmues përpara", tha ai.
Shtuar më 12/11/2019, ora 15:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori