Kane: Do japim maksimumin ndaj Spanjës
Sot Harry Kane, kapiteni i kombëtares së Anglisë, u është paraqitur gazetarëve prezentë në konferencën për shtyp në vigjilje të përballjes ndaj Spanjës që do të luhet në orën 20:45.

Bomberi do mbajë veshur, në fakt, këpucë ngjyrë ari: me gjashtë golat e shënuar në Botërorin "Rusi 2018", pasi u shpall fitues i “Këpucës së Artë” nga FIFA, ndaj “kolosi” i veshjeve sportive e ka përgëzuar me këtë mënyrë origjinale.

“E kam të vështirë ta krahasoj veten me Cristiano Ronaldon apo Lionel Messin: të dy kanë vendosur standarde të jashtëzakonshme gjatë viteve të fundit, por janë maja që të gjithë duan t’i arrijnë”.

Sulmuesi është ndalur edhe te gjysmëfinalja e Botërorit, ku Anglia e tij u eliminua nga Kroacia:

“E ripashë për disa herë ndeshjen: pozitivë në disa aspekte, por stonuam në shumë raste. Pjesëmarrja në një Kupë Bote ku ndër të tjera u shpalla kryegolashënues ishte diçka fantastike, për të cilën ndihem jashtëzakonisht krenar. Tani do luftojmë për trofe në nivel skuadre: ky është objektivi”.

“Fokusi i gjithë skuadrës është e drejtuar nga dy ndeshjet e radhës dhe, normalisht, te fitorja e Ligës së Kombeve. Personalisht ndihem në formë. Stadiumi do jetë plot dhe kjo është diçka fantastike. Do japim maksimumin ndaj Spanjës, për të marrë fitoren. Kemi hedhur hapa gjigandë, por tani duam një finale”, përfundoi Kane.
Shtuar më 08/09/2018, ora 17:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori