Kane optimist për skuadrën e tij: Ky Tottenham i veçantë dhe më i pjekur
Harry Kane nuk e ka fituar asnjëherë Premier League-n. Sulmuesi anglez i shkoi pranë trofeut kryesor në Angli në sezonin 2016-2017 , ku në fund "Spurs"-at u dorëzuan përballë Chelsea-t të Antonio Contes, që fitoi titullin me 7 pikë më shumë se ekipi që në atë kohë drejtohej nga Pochettino.

Të triumfosh në Angli është një ëndërr për futbollistët anglezë, një dëshirë që ndoshta kalon edhe një sukses të mundshëm në UEFA Champions League dhe Harry Kane e ka këtë ambicie, madje në ndryshim nga trajneri i tij, Jose Mourihno, e sheh Tottenhamin në garë për titull, sepse, sipas "uraganit" Kane, kjo skuadër është e veçantë.

"Mendoj se jemi në një fazë, ku jemi pjekur si ekip, kemi qenë disa herë pranë kreut dhe kemi 3-4 vite që luajmë së bashku. Afrimet e reja janë bërë me zgjuarsi dhe na kanë dhënë një shtysë më shumë, mendoj që ky ekip është i veçantë. E di që është herët dhe duhet t’i marrim ndeshje një e nga një, por unë kam shumë besim"- deklaroi kapiteni i londinezëve pas fitores me Burnley-n.

Tottenhami ka regjistruar tri fitore e dy barazime në pesë ndeshjet e fundit në kampionat dhe aktualisht ndodhet në vendin e 5-të me vetëm 2 pikë më pak se dyshja kryesuese Everton-Liverpool. "Spurs"-at e kanë fituar dy herë titullin kampion në Angli, herën e fundit ka qenë në vitin 1961.

Shtuar më 27/10/2020, ora 15:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori