Kaos në futbollin shqiptar, kampionati mund të mos nis
Kategoria Superiore mund të shtyhet edhe të paktën një javë nga data e përcaktuar (24 gusht), por gjithsesi kjo nuk është një zgjidhje për kolapsin që po përjeton futbolli shqiptar. Sikur të mos mjaftonin 4 klubet me probleme (Tirana, Vllaznia, Flamurtari dhe Luftëtari), konfirmimi i dënimit të Skënderbeut vulosi dramën.

Dje në një prej hoteleve të kryeqytetit, presidenti i Ligës Profesioniste, Edvin Libohova, zhvilloi një takim me presidentët e Teutës (Edmond Hasanbelliu), Tiranës (Refik Halili), Laçit (Pashk Laska), Bylisit (Besnik Kapllanaj), si dhe juristi i Partizanit (Gerald Burba). Mungonin përfaqësuesit e Kukësit, Skënderbeut, Flamurtarit, Vllaznisë dhe Luftëtarit. Pas mbledhjes, Libohova foli për “Panorama Sport”, duke treguar edhe se si do të veprohet me klubet që kanë probleme.

Zoti Libohova, keni bërë një takim me drejtuesit e klubeve, por që vetëm gjysma e tyre ishin prezentë…

Ishte një takim i zakonshëm për të diskutuar disa probleme të Ligës, kryesisht për të përgatitur një listë me propozime për Komisionin e Disiplinës, atë të caktimit të arbitrave apo vëzhguesve. Natyrisht folëm edhe për informacionin që kemi rreth situatës për ndryshimet e paketës ligjore në sport. Duke qenë se ishim vetëm 5 përfaqësues, nuk është se pati vendimmarrje për ndonjë çështje të caktuar, por gjithsesi diskutuam për të informuar edhe kolegët që mungonin. Me të gjithë drejtuesit e klubeve kemi biseduar, kështu që jemi të qartë.

Futbolli duket më në kaos se kurrë, çfarë prisni për të shpëtuar nga kjo krizë?


Më e rëndësishmja në këtë moment është paketa ligjore në mbështetjen e sportit. Do të presim të dalë varianti që do të ketë qeveria për këtë punë, pasi kemi diskutuar gjatë në këtë periudhë. Mbi bazën e këtij varianti, ne presim që të plotësohen edhe propozimet tona. Nëse jemi larg propozimeve tona me variantin që do të dalë, sigurisht që do të rishikojmë edhe një herë qëndrimin. Pra, do të rihapim debatin për ta çuar deri në fund këtë çështje. Të arrihet ajo që u nis, pra të mbështetet futbolli nëpërmjet motivimit të sponsorëve, kryesisht nga pjesa e tatimfitimit, që e kanë shumë shtete dhe së fundmi edhe Kosova.

Mos ndoshta mungon vullneti i qeverisë për të bërë këtë hap?

Nuk mund të them se mungon vullneti i shtetit, sepse kemi bërë disa takime. Tashmë kemi të bëjmë me një revolucion sa i përket kontributit të shtetit në sport. Duke qenë një ndryshim historik për mbështetjen e sportit, edhe qeveria ka kërkuar kohën e vet. Kjo është edhe arsyeja që është tejkaluar disi afati i shpallur nga kryeministri për 100 ditët. Unë jam optimist se qeveria do të japë variantin më të mirë të mundshëm për të mbështetur sportin dhe ne këtë e presim.

Ka një ultimatum për 4 klube sa i përket licencimit, po e mendoni edhe shtyrjen e kampionatit?

Shtyrja e kampionatit nuk është ndonjë zgjidhje, sepse edhe nëse e nisim një javë ose dy javë më vonë, çfarë do të fitojmë…! Problemi është që të gjejmë zgjidhje që kampionati të fillojë normalisht. Nëse dikush nga ekipet nuk i plotëson kushtet, atëherë do të zbatohet rregullorja. Ky është një problem që lidhet me Komisionin e Licencimit, kështu që nuk mund të ndërhyjmë, pasi ka kritere të caktuara. Ky komision duhet të mbajë një qëndrim të barabartë për të gjitha klubet.

Ka një debat së fundmi nga ekipet e Kategorisë së Parë për ato që e meritojnë të licencohen në Superiore në rast se ndonjë nga skuadrat aktuale nuk merr OK-in e komisionit. Si do të veprohet?

Kjo është një histori tjetër, sepse Komiteti Ekzekutiv në bazë të rregullores dhe kompetencave që ka, do të vendosë nëse do të futen ekipet që janë renditur të dytat në grupet e Kategorisë së Parë apo skuadra të tjera. Së pari, do të shikohet se cili nga ekipet aktuale nuk plotëson kriteret për t’u licencuar në Superiore. Nëse kriteret nuk i plotësojnë as ekipet e vendeve të dyta në Kategorinë e Parë, atëherë do të vazhdohet me vendet më poshtë, derisa të ketë një klub që i plotëson kushtet për të garuar në Superiore. Nuk mund të futet një klub tjetër që nuk i plotëson kushtet vetëm për hatër që dikush do bjerë. Nëse njëri bie dhe mbetet një vend bosh, ai që do të vijë duhet patjetër të plotësojë kushtet. Kushdo qoftë ai…
Shtuar më 27/07/2019, ora 20:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori