Kategoria e Parë: Egnatia as nuk e diskuton Flamurtarin, fiton Besa dhe Lushnja
Lushnja kishte mundësinë më të mirë në ditën e sotme të Kategorisë së Parë, Grupi B, për të marrë tre pikët e plota në transfertë ndaj Elbasanit.

Këta të fundit i kanë bërë një start negativ kampionatit, e kështu vazhdoi kjo gjendje edhe në ditën e sotme ku u mposhtën 0-1.

Për lagunarët, vendimtar ishte goli i Xekës në minutën e 45 që i mjaftoi për të dalë me kokën lart nga sfida.

Pas kësaj ndeshje, Lushnja renditet në vendin e tretë me tetë pikë, ndërsa elbasanasit mbeten në kuotën e zero pikëve.

Ndërkohë, Egnatia nuk e pati aspak të vështirë ndaj Flamurtarit duke i mposhtu vlonjatët në shtëpi me rezultatin e pastër 3-0.

Të besuarit e trajnerit Gugash Magani kanë objektiva madhorë në këtë sezon, e këtë po e tregojnë më së miri ndeshje pas ndeshje, teksa aktualisht janë në vendin e parë me 10 pikë.

Golat për skuadrën rrogozhinase i shënuan Magani me Celhakën në pjesën e parë dhe në të dytën realizoi Shtubina. Sakaq, te Flamurtari situata mbetet shumë e rënduar, teksa kanë mbledhur vetëm një pikë.

Ndërkaq, edhe Besa e trajnerit Artan Mërgjyshi mori një trepikësh të rëndësishëm në shtëpi, teksa mposhti me rezultatin 2-0 Turbinën.

Kavajasit shënuan një gol për pjesë, fillimisht me Silva Amarente e më pas me Peqinin.

Pas kësaj sfide, verdhezinjtë renditen në vendin e dytë me nëntë pikë, ndërsa Turbina ka vetëm një pikë.

Ndeshjet:

Besa-Turbina 2-0
Shënues: 32′ Silva Amarente, 80’Peqini

Elbasani-Lushnja 0-1
Shënues: 45’Xeka

Egnatia-Flamurtari 3-0
Shënues: 9’Magani, 43’Celhaka, 78’Shtubina
Shtuar më 28/11/2020, ora 16:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori