Kean shkel rregullat e karantinës, Everton i përgatit gjobën dhe largimin
Everton pagoi plot 42 milionë euro verën e kaluar, për të marrë sulmuesin e talentuar italian Moise Kean nga Juventusi, por deri tani investimi ka rezultuar i gabuar dhe futbollisti ka zhgënjyer totalisht me fanellën e "Toffies".

Vetëm një gol i shënuar në shumë ndeshje në fushën e lojës, ndërsa edhe afrimi i Carlo Ancelottit nuk ka bërë që sulmuesi të rigjejë veten, ndaj drejtuesit e klubit anglez po mendojnë ta shesin këtë verë te klubi i parë që do të bëjë një ofertë për të.

Megjithatë këto ditë izolimi, Kean është bërë protagonist për keq, pasi është filmuar duke thyer rregullat e distancimit dhe festuar me miqtë e tij, gjë që ka bërë bujë në mediat angleze dhe ka provokuar zemërimin e klubit.

"Jemi shumë të zhgënjyer me sjelljen e Moise, pasi ai dhe të gjithë të tjerët duhet të respektojnë rregullat e vendosura. Do të mblidhemi dhe sigurisht që do të marrim masë për këtë papërgjegjshmëri", tha një prej drejtuesve të Everton për mediat angleze, duke paralajmëruar një gjobë të majme për sulmuesin.

Moise Kean ka pranuar shpesh se i pëlqen të rikthehet në Itali, pasi nuk është i kënaqur me jetesën në Angli, ndërsa për të interesohen klube si Interi, Napoli e Lazio, që duan të përfitojnë nga ulja e vlerës së kartonit këtë verë.
Shtuar më 26/04/2020, ora 12:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori