"Kërcënon" Ibra: O rrisni pagën, o iki
Yjet e Milanit vazhdojnë të mbajnë nën presion ambientin kuqezi. Që kur Silvio Berlusconi vendosi të mos e shesë Thiago Silvan te PSG-ja, në kampin kuqezi janë shtuar kërkesat për rritje page, të cilat janë shoqëruar edhe me kërcënime: ose pranoni ofertat tona, ndryshe ikëm!

Ndërkaq i pari që e ka bërë një gjë të tillë ka qenë Thiago Silva, dhe pas tij është paraqitur Zlatan Ibrahimoviç. Braziliani kërkon minimumi 7.5 milionë euro në sezon, kurse suedezi 11 milionë. Brazilianit kuqezinjtë janë gati t’ia plotësojnë dëshirën, ndërsa në rastin e Ibrahimoviç gjërat ndryshojnë. Si rrjedhojë suedezi mund të vendos edhe të largohet. Madje, gjatë ditës së djeshme ka qenë vetë menaxheri i tij, Mino Raiola, që për herë të parë ka lënë të kuptohet se suedezi edhe mund të largohet nga Milano nëse Berlusconi nuk investon në skuadër dhe nuk ia rrit pagën futbollistit të asistuar prej tij.

"Zlatan është një futbollist i Milanit. Kontrata e tij me kuqezinjtë skadon pas dy vitesh. Nëse doni të dini më tepër për të ardhmen e tij, pyesni Berlusconin dhe Gallianin. Ibra ka pretendimet e tij, të cilat i shkojnë përshtat një ylli si ai", tha agjenti i Ibrës.

"Zlatan u ka kërkuar kuqezinjve investime në skuadër, të cilat në rast se nuk vijnë, mund të sjellin një ndryshim të situatës. Kështu që unë nuk e vendos dorën në zjarr për të ardhmen e Ibrës. Pasi për këtë tani vendos Berlusconi", u shpreh Raiola.

Me pak fjalë, menaxheri italo-hollandez lë të kuptohet se asgjë nuk është e sigurt. Dhe jo më kot, Ibra ka fiksuar një takim me drejtuesit e Milanit, Silvio Berlusconi dhe Adriano Galliani disa ditë përpara fundit të merkatos. /albeu.com/
Shtuar më 29/06/2012, ora 15:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori