E FUNDIT/ Kapen 200 kg kokainë në Elbasan
Kërkohet vetëm fitorja, Reya ideon formacionin anti-Turqi
Shqipëria do të luajë një finale të vërtetë në Stamboll përballë Turqisë vendase, pasi çdo rezultat tjetër përveç fitores, do të minimizonte totalisht shanset e kuqezinjve për të tentuar një vend në Kampionatin Europian të 2020-ës.

Pasditen e sotme kuqezinjtë kanë kryer edhe seancën e fundit stërvitore, ndërsa trajneri Edi Reja thuajse ka ndarë mendjen plotësisht mbi futbollistët që do të hedhë në fushë dhe natyrisht që prioritet do të kenë ata që luajtën ndaj Islandës.

Kështu në portë pritet konfirmimi i Strakoshës, ndërsa mbrojtja do t’i besohet sërish 3-shes Gjimshiti-Dermaku-Ismajlaj, me Marash Kumbullën që do ta nisë nga stoli, në pritje të shansit të tij.

Në mesfushë, në të majtë do të luajë Ermir Lenjani, ndërsa vendin e Hysajt në të djathtë do ta marrë Odise Roshi, që ndonëse dështoi në këtë rol ndaj Francës, këtë herë mund të bëjë mirë, veçanërisht në organizimin e manovrës sulmuese.

I palëvizshëm në qendër të mesfushës është mesfushori Klaus Gjasula, që iu bashkua Kombëtares Shqiptare vetëm në fillim të shtatorit dhe u shndërrua menjëherë në titullar, ndërsa në krah të tij do të jetë pa diskutim fantazisti Ledian Memushaj, që do të luajë me shiritin e kapitenit në krah.

Dyshimi i vetëm është për futbollistin e tretë të qendrës së mesfushës, pasi Keidi Bare bëri mjaft mirë si ndaj Francës, ashtu edhe ndaj Islandës, por trajneri Edi Reja është i joshur nga mundësia për të aktivizuar nga minuta e parë Amir Abrashin.

Nuk ka asnjë dyshim ndërkohë në repartin e avancuar, ku edhe këtë takim do të jenë dyshja Manaj-Cikalleshi që do të aktivizohen nga minuta e parë, pas një 90-minutëshi mjaft intensiv që prodhuan në shtator në Elbasan.
Shtuar më 10/10/2019, ora 23:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori