Këshilla e Maldinit: Më shumë fokus te të rinjtë
"Në kampionatet e tjera luajnë më fort!". Ky është opinioni i një kampioni, i cili ka fituar gjithçka në Itali, në Europë dhe në Botë, apo më konkretisht i Paolo Maldini-t, që ka përfituar të flasë për futbollin, gjatë prezantimit të një iniciative të Institutit Kombëtar të Tumoreve, në Milano.

"Më ka ndodhur shpesh të shoh në televizor ndeshjet e futbollit italian, duke i alternuar me ato të kampionateve të tjera. Diferenca është tepër e dukshme, jo vetëm sa i përket kualitetit, por mbi të gjitha për intensitetin e lojës, për ritmin dhe shpejtësinë, që ne i kemi humbur krahasuar me klubet e huaja. Ky është motivi i gjithë atyre vuajtjeve kundër skuadrave të huaja rivale", është shprehur legjenda e Milanit.

Sa i përket të ardhmes së futbollit, duhet t'i besohet më shumë sektorëve të të rinjve. "Për të zhvilluar një projekt me të rinjtë duhen investime, por mbi të gjitha kohë. Rezultatet nuk mund të jenë të menjëhershme. Duhet të mendosh për një periudhë ndoshta 5-vjeçare. Ky është sekreti i sektorëve të të rinjve fitues...".

Por, a mund të presin, për shembull, tifozët e Milan dhe Inter për një periudhë kaq të gjatë, teksa janë mësuar të fitojnë menjëherë falë lojtarëve të mëdhenj? "Për këtë gjë duhen balancuar investimet mes skuadrës së parë dhe sektorit të të rinjve. Një klub i pasur me shumë kampionë nuk duhet të lërë në hije një sektor të rinjsh, të cilët mund të ndihmojnë të qendrosh në nivele të larta. Përkundrazi, djemtë e rinj mund të marrin shembull nga lojtarët e mëdhenj, për të përmirësuar nivelin e tyre teknik e profesional".

Në fund, Maldini ka bërë të ditur se në Champions League do të bëjë tifo për mikun e tij te Real Madrid, Carlo Ancelotti.

Ndërkaq, edhe pse Milan është rikthyer të fitojë dhe Europa është më afër se kurrë, në Milanello situata është disi e tensionuar, për shkak të qarkullimit të disa zërave pas sfidës me Catania-n, sipas të cilave ka pasur presione nga shoqëria kuqezi për të hedhur në fushë Montolivo-n.

Në fund të ndeshjes, Seedorf është shfaqur i habitur nga pyetjet për zëvendësimin e papritur të formacionit dhe ka dënuar ambientin kuqezi. Edhe pse ishte caktuar një takim për t'u qartësuar me trajnerin, sot Galliani ka vendosur të mos shkojë në Milanello.

Kjo, ndoshta sepse kur mbeten vetëm 5 ndeshje nga fundi, ky nuk mund të jetë momenti i duhur për t'i hedhur benzinë zjarrit, duke shtuar polemikat. Objektivi i Milanit mbetet i qartë: të synojë Europa League-n, e për këtë duhen rezultate, por edhe qetësi në dhomat e zhveshjes. /albeu.com/
Shtuar më 15/04/2014, ora 17:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori