Këto janë skuadrat që kanë shpenzuar më shumë në Serie A
Pëlqej
Kampionati italian “Serie A” ka nisur të ndiejë efektin Cristiano Roanldo, duke bërë gjithashtu një hap më tej përpara drejt rikthimit mes më të ndjekurve e më të lakmuarve, për futbolldashësit dhe futbollistët.

Për të dytin vit radhazi është tejkaluar shumë e një miliard eurove të investuar për afrimin e lojtarëve të rinj, duke mbetur i vetmi kampionat mes 5 më të rëndësishmëve të Europës që i përafrohet shpenzimeve marramendëse të ekipeve të Premier League.

Kur kanë mbetur vetëm pak orë nga fundi i sezionit veror të kësaj merkatoje, klubet e Serie A kanë shpenzuar 1 miliard e 5.9 milionë euro, shifër që gjithsesi mund të ndryshojë deri në orën 20:00 të mbrëmjes së të premtes, e që mund të tejkalojë atë të verës së kaluar, kur u shpenzuan 1 miliard e 37.73 mln euro.

Ekipet angleze të Premier League kanë shpenzuar gjatë verës një miliard e 400 milionë euro, ndërsa shumë më mbrapa mbeten La Liga spanjolle me 778 milionë euro; Bundesliga gjermane me 447 milionë euro; e në fund Ligue 1 e Francës me 405 mln euro.

Pjesën e “luanit” e ka shpenzuar, pa më të voglin dyshim, Juventusi. Bardhezinjtë kanë hedhur gati çerekmiliard euro (234.9 mln euro) në total, duke përfshirë këtu edhe 40 milionët e derdhura në arkën e Bayern Munchen për të blerë përfundimisht kartonin e Douglas Costa. Një shifër e frikshme kjo, nëse krahasohet me të ardhurat e Napolit për vitin 2017 prej 200.7 mln eurosh sipas “Deloitte” dhe ato të Romës, prej 175 mln eurosh. Dy blerjet më të kushtueshme të kësaj vere në Itali janë pikërisht ato të bëra nga Juve, mbi 100 mln euro për Ronaldon dhe 40.4 mln të investuara për Cancelo. Objektivi mbetet tejet i qartë dhe i deklaruar prej kohësh: fitimi i Champions League.

Sa u përket rivalëve të tjerë, sinjale të rëndësishme kanë dhënë thuajse të gjithë, që objektiv parësor kanë ngushtimin e hendekut me bardhezinjtë nga Torino.

Roma dhe Napoli mbajnë aktualisht vendet e tjera të podiumit. Verdhekuqtë kanë shpenzuar 112.95 mln euro për 12 blerje në total, përfshi N’Zonzi, ndërsa Napoli ka shpenzuar plot 95.5 mln euro, që ndahen respektivisht 30 për Fabian Ruiz, 25 për Meret, 23+2 për Verdin dhe 12 për Malcuit.

Pasojnë më tej dy skuadrat e Milanos, Interi me 85.5 mln euro dhe Milani me 81 mln euro. Por, shifrat e këtyre dy ekipeve do të ishin shumë më të larta, po të kihet parasysh shpenzimet që parashikohen për “të drejtat e blerjes përfundimtare” të lojtarëve të tillë si Vrsaljko (6.5+17.5), Keita (5+34), Politano (5+20), Bakayoko (5+35) apo Higuain (18+36)

Menjëherë pas 5 emrave të mëdhenj të futbollit italian renditet Torino, që ka shpenzuar 49 mln euro për përforcimet, si Izzo apo Meite (10 secili), sikurse edhe Niang nga Milani për 12 mln euro.

Pas Torinos vjen Lazio me 43 mln euro, Genoa me 40.2 mln euro dhe Udinese me 36 mln euro.

Renditja e skuadrave që kanë shpenzuar në këtë merkato:

1. Juventus 234,9
2. Roma 112,6
3. Napoli 95,5
4. Inter 85,5
5. Milan 81
6. Torino 49
7. Lazio 43
8. Genoa 40,2
9. Udinese 36
10. Atalanta 33
11. Bologna 31,8
12. Fiorentina 31,5
13. Sampdoria 31,1
14. Sassuolo 30,7
15. Cagliari 22,5
16. Empoli 14,7
17. Parma 12,7
18. Spal 9,95
19. Chievo 6,55
20. Frosinone 3,7
Shtuar më 15/08/2018, ora 16:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori