Khedira: Mbështetja e Mourinhos, jetike
Mesfushori i Real Madrid, Sami Khedira ka deklaruar se trajneri i "Los Blancos" Jose Mourinho luan një rol të madh në shfaqjet e tij të mira, ndërsa ka paralajmëruar që të mos e nënvlerësojnë Valencian në ndeshjen e kthimit çerekfinale të Kupës së Mbretit.

Khedira ka impresionuar me një varg ndeshjesh pas pushimit dimëror, teksa e ka bërë të qartë se jetike për të është mbështetja që i jep "Special One".

"Jam ndjerë shumë mirë në këtë moment dhe kjo është e qartë për ta parë në fushën e lojës. Është shumë e rëndësishme për mua që të kem besimin e trajnerit. Shokët e ekipit dhe trajneri janë të gjithë të lumtur me punën time dhe kjo është ajo që ka më shumë rëndësi. Unë do të bëj maksimumin tim për ta mbajtur lart këtë performancë", u shpreh mesfushori gjerman.

Ai vazhdoi të diskutojë për ndeshjen e kthimit të Kupës së Mbretit kundër Valencias, duke theksuar se fati i çerekfinales nuk ka përfunduar ende, pasi të tijtë kanë fituar vetëm 2-0 në ndeshjen e parë.

"Me Valencian do të jetë një ndeshje e vështirë. Ata kanë një ekip të mirë dhe ne duhet të jemi tepër vigjilentë në mbrojtje", përfundoi Sami Khedira. /albeu.com/

Shtuar më 22/01/2013, ora 18:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori