Kloop: Humbja me Realin na ka bërë më të fortë
Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, beson se skuadra e tij aktuale është e pakrahasueshme me ekipin që humbi kundër Real Madridit në finalen e sezonit të kaluar të Ligës së Kampionëve.

Liverpooli pësoi humbje zemërthyese në Kiev para një viti, me Realin që fitoi 3:1 për ta siguruar titullin e tretë më radhë në ligën elitare evropiane.

Por, të kuqtë e morën veten dhe i bashkuan forcat për ta sfiduar Manchester Cityn në garë për titull në Premierligë këtë sezon, derisa e arritën finalen në Ligën e Kampionëve për vitin e dytë radhazi.

Skuadra e Kloppit do të kërkojë të bëjë më mirë kundër Tottenhamit në Madrid të shtunën dhe trajneri gjerman thotë se humbja e para një vitit në këtë fazë i ka bërë ata më të fortë.

"(Humbja) kishte një ndikim të madh në ne. E mbaj në mend situatën kur qëndronim në rend në aeroportin e Kievit për t’u kthyer në shtëpi", tha Klopp.

"Të gjithë ne rrinim me kokën ulur. Të gjithë ishim të zemëruar dhe të zhgënjyer për humbjen. Nuk e kuptonim, nuk ishte e lejuar për ne të zemëroheshim, emocionet ishin shumë të ndryshme", theksoi ai.

"Nga dita e parë në përgatitjet parasezonale, ne u bashkuam, nga ndeshja e parë në ligë. Ishte një hap i madh, shumë i madh për djelmoshat. Ky ekip nuk mund të krahasohet me ekipin e vitit të kaluar", shtoi ai.
Shtuar më 28/05/2019, ora 21:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori