Klopp: I kam bateritë plot, s'e jap dorëheqjen
Jurgen Klopp po kalon momentin më të vështirë në karrierën e tij si trajneri i Borussia Dortmund. Humbja më e fundit 0-1 me Augsburgun në "Signal Iduna Park", që erdhi pas barazimit 0-0 me Bayer Leverkusen, e ka komplikuar edhe më shumë pozitën e verdhezinjve në fund të tabelës së renditjes, por 47-vjecari këmbëngul se ai është njeriu i duhur për ta nxjerrë skuadrën nga kjo situatë e rëndë.

"Unë i kam bateritë plot pas pauzës dimërore, ato nuk mund të jenë bosh pas vetëm dy ndeshjesh. Nuk ka asnjë shans që unë të jap dorëheqjen. Unë jam shumë i bindur se do t'ia dalim mbanë në pjesën e dytë të sezonit", ka thënë Klopp.

Sigurisht që Borussia ka nevojë me shumë se fjalët për të shmangur katastrofën dhe Klopp këtë e ka të qartë.

"Duhet të mendojmë pozitivisht, thjesht duhet të tregohemi më të zotë në situatat e volitshme. Duhet të jemi më efikasë para portës dhe nëse kërkojmë të godasim nuk duhet që goditjet të duken si krosime", vijon tekniku verdhezi.

Tifozëve po u soset durimi, pasi rënia në Bundesliga II po bëhet një rrezik konkret. Falja që u kërkoi portieri Wiendenfeller në fund të disfatës me Augsburgun duhet të pasohet me fitore në transfertë me Friegurg, një kundërshtar direkt për mbijetesë, në të kundërt pasojat mund të jenë të parikuperueshme. /albeu.com/
Shtuar më 06/02/2015, ora 10:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori