Klopp: Shifra për Bale, çmenduri
Blerja e Gareth Bale përfundoi. Uellsiani u prezantua si lojtar i Real Madrid, por "kryetelenovela" e merkatos së verës vazhdon të komentohet për transferimin më të bujshëm, që është njëkohësisht më i shtrenjti në historinë e futbollit botëror. Një nga ata që nuk pajtohet me shifrën prej rreth 100 milionë eurosh që Reali i pagoi Tottenham për Bale është edhe trajneri i Borussia Dortmund.

Për Jurgen Klopp, shifra në fjalë mund të konsiderohet një çmenduri. Në një intervistë për të përditshmen gjermane "Bild", tekniku i Borussias theksoi se në këtë transferim, çështja nuk qëndron te kostoja e operacionit, por te ndikimi që ka në skuadër dhe te mundësitë financiare të klubit.

"Nuk ka shumë rëndësi se sa kushton një lojtar. Pyetjet që duhet të bëhen janë: Vërtet e do këtë lojtar dhe a je në gjendje të paguash?", është shprehur tekniku i Borussia Dortmund.

Për teknikun e verdhezinjëve, një prej ekipeve më të fortë në Bundesliga dhe lideri aktual në renditje, shifrat e kësaj merkatoje ishin të çmendura, por të paktën ai shpreson se këto para do të qarkullojnë brenda botës së futbollit.

Të njëjtin mendim, Klopp ka edhe për kalimin e Mesut Ozil nga Reali te Arsenali, operacion që u mbyll me derdhjen e 50 milionë eurove në llogarinë e "Los Blancos". /albeu.com/
Shtuar më 06/09/2013, ora 12:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori