Kluivert mbron Balotellin: Unik në llojin e tij
Pëlqej
Në kohën e tij konsiderohej një lojtar i çmendur për shkak të karakterit të tij të vështirë, por talenti ia eklipsonte disa nga të metat, duke bërë që edhe trajnerët ta mbyllnin njërin sy. Bëhet fjalë për ish sulmuesin Patrick Kluivert, i cili nuk është i panjohur me situatat e provokimeve. Jeta e tij në fushë është shumë e ngjashme me atë të Mario Balotellit edhe pse shënonte me një frekuencë më të vogël, të paktën gjatë periudhës kur luante në Itali. Për këtë arsye por edhe për shumë të tjera, Kluivert del në krah të "djalit të keq" të Serie A.

"Nëse do të isha trajneri i tij do të punoja për ta ndihmuar por nuk do të bëja dot më shumë. Balotelli është unik në llojin e tij. Ai ka një karakter të veçantë por është një yll që do të zgjidhte hallet e çdo skuadre. Këtë po e tregon me kombëtaren e Italisë ku po shkëlqen, prandaj duhet respektuar për atë që është dhe duhet lënë i qetë. Padyshim që paguan kur gabon në fushën e lojës, por është e pamundur ta ndryshosh trurin e tij", ka thënë ish ylli i Ajax, Milan dhe Barcelonës.

Në vijim, ish sulmuesi i kombëtares së Holandës shton se nuk ka pasur probleme të mëdha që lidhen me racizmin në Itali, por shton se në Serie A jeta bëhet më e vështirë për një sulmues pasi mbrojtjet janë më të ngjeshura.

Kluivert nuk harron të flasë as për kombëtaren e Hollandës, duke shtuar se tulipanët kanë një grup me elementë cilësorë, por trajneri Luis Van Gaal vendos të aktivizojë lojtarët që janë më në formë.

"Van Gaal nuk është i ashpër, ai është i drejtë. Problemi është se nëse në futboll të vendosin një etiketë, atëherë merr fund. Gjithsesi, për Balotellin ka vetëm një etiketë, ai është një yll, këtë nuk duhet ta harroni", përfundoi Patrick Kluivert. /albeu.com/
Shtuar më 01/10/2013, ora 15:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori