Koha që Kombëtarja U21 të provojë sërish veten, këtë herë kundër Islandës
Pëlqej
Nga Irlanda e Veriut në Islandë. Dy prej ekstremeve të Europës brenda katër ditësh. Kombëtarja U-21 do të luajë sot ndeshjen e tretë të fazës eliminatore. Kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi u mundën 1-0 në sfidën e luajtur të premten në Belfast. Përballë vendësve, Shpresat u ndëshkuan në fund me 11- metërsh.

Sot, në orën 19:00, Shqipëria do të ketë përballë Islandën. Në dy takimet e luajtura deri tani, kuqezinjtë e vegjël kanë marrë vetëm një pikë, barazim ndaj Estonisë dhe më pas humbja me Irlandën e Veriut. Sot, të besuarit e Bushit do të kërkojnë fitoren përballë islandezëve.

SKUADRA

Gjatë këtyre ditëve, ekipi ka vazhduar normalisht stërvitjet dhe është gati për takimin e sotëm. Në këtë ndeshje, do të mungojë një prej lojtarëve më të mirë të përfaqësueses U-21, Kejdi Bare. Ky i fundit u ndëshkua me karton të kuq në sfidën ndaj irlandezoveriorëve dhe në këtë mënyrë nuk do të jetë gati për ndeshjen e sotme.

Ishte pikërisht Bare ai që shkaktoi penalltinë në sfidën e kaluar, gjë për të cilën u kritikua ashpër nga trajneri Alban Bushi. Por, tekniku i U-21 do të ketë të gatshëm Endri Çekiçin. Mesfushori me tipare sulmuese do të jetë në fushë në sfidën e sotme. Futbollisti mbërriti pas ndeshjes në Irlandë, pasi e mori me vonesë vizën, pwrcjell Panorama.

Por ai do të jetë gati për sfidën e sotme. Konsiderohet si një lojtar i rëndësishëm që mund ta ndihmojë Kombëtaren Shpresa që të marrë rezultat pozitiv në takimin e sotëm.

Pritet që skuadra të mbështetet nga disa tifozë në këtë përballje, emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Islandë, të cilët kanë konfirmuar mbështetjen. Pas dy ndeshjeve të para, Shqipëria U-21 do të kërkojë të marrë fitoren e parë në këtë tur eliminatoresh.
Shtuar më 04/09/2017, ora 12:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori